Nga Alessandra Baldini
Një edicion i dominuar nga repi dhe me një dozë të fortë K-pop – falë filmit të suksesshëm të Netflix-it K-pop: Demon Hunters – do të jetë në qendër të edicionit të 68-të të Çmimeve Grammy, që do të mbahet më 1 shkurt në Los Angeles.
Mes emrave më të spikatur të nominimeve janë Kendrick Lamar, Bad Bunny, Doechii dhe Tyler, the Creator, por nuk mungojnë edhe yjet e mëdhenj të popit si Lady Gaga, Sabrina Carpenter, Billie Eilish dhe Chappell Roan.
Një vit ku meshkujt marrin skenën kryesore
Pas disa edicionesh të dominuara nga rivalitetet e yjeve femra të popit, këtë vit vëmendja pritet të zhvendoset te artistët meshkuj.
Kendrick Lamar, i cili në ceremoninë e fundit fitoi Çmimin e Regjistrimit të Vitit dhe Këngën e Vitit me “Not Like Us”, kryeson me nëntë nominime – shumica të lidhura me albumin e tij të ri GNZ.
Pas tij vjen Lady Gaga me shtatë nominime për albumin Mayhem, ndërsa Sabrina Carpenter, Bad Bunny dhe Leon Thomas kanë secili nga gjashtë nominime.
Thomas, një këngëtar, kompozitor dhe producent 32-vjeçar, hyri për herë të parë këtë javë në Top 10 të Billboard Hot 100, duke e vulosur një vit të jashtëzakonshëm për të.
Bad Bunny bën histori – dhe synon dyfishin Grammy & Super Bowl
Bad Bunny (Benito Antonio Martínez Ocasio) është nominuar në të gjitha kategoritë kryesore ndër-zhanrore, falë albumit të tij Debí Tirar Más Fotos, që përzien plena-n tradicionale portorikane, reggaeton-in dhe trap-in modern.
Vetëm një javë pas ndarjes së çmimeve Grammy, më 8 shkurt, ai do të ngjitet në skenën e Super Bowl, duke u bërë artisti i parë që performon tërësisht në spanjisht gjatë spektaklit të pushimit – një moment historik për kulturën latine.
K-pop, surpriza e këtij edicioni
Për herë të parë pas dominimit të grupit BTS, K-pop rikthehet në vëmendje falë këngës “Golden”, pjesë e kolonës zanore të filmit vizatimor K-pop: Demon Hunters të Netflix-it.
Kënga ka marrë tre nominime, përfshirë atë për Albumin e Vitit.
Në një kthesë interesante, për çmimin Kolona Zanore më e Mirë për Median Vizuale, grupi fiktiv Huntr/X do të garojë kundër Timothée Chalamet, i nominuar për kontributin e tij në filmin biografik A Complete Unknown, dedikuar Bob Dylan-it.
Kush mungon dhe çfarë pritet
Ceremonia e 68-të e Grammy-ve do të zhvillohet në Crypto.com Arena në Los Angeles dhe do të transmetohet për herë të fundit nga CBS, përpara se të kalojë në ABC vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, Taylor Swift nuk është pjesë e listës, pasi albumi i saj i fundit The Life of a Showgirl u publikua pas mbylljes së afatit të nominimeve.
Një tjetër fakt i veçantë: për herë të parë pas shumë vitesh, tre albume repi janë në garë për Albumin e Vitit – një arritje e rrallë për një zhanër që shpesh ka qenë nënvlerësuar nga Akademia e Regjistrimit.
Në këtë kategori garojnë GNX i Kendrick Lamar, Chromakopia i Tyler, the Creator, dhe Let God Sort ’Em Out nga duoja Clipse, e cila rikthehet pas 16 vitesh mungesë.
Artistët e rinj që po marrin hov
Në kategorinë Artisti më i Mirë i Ri, përveç Leon Thomas, garojnë:
Katseye – grupi i ri i vajzave që po ngjitet në listat ndërkombëtare,
Olivia Dean, këngëtare soul-pop që ndodhet këtë javë në Top 10,
grupi indie-pop The Marías,
Lola Young, rokerja introspektive britanike e brezit Gen Z,
dhe dy yjet e TikTok-ut: Alex Warren dhe Addison Rae.
Një garë që pritet me ethe
Këtë vit, Grammy-t premtojnë të jenë më të paparashikueshmit e dekadës: një përballje mes revolucionit të repit, energjinë e pop-it femëror dhe shpërthimit global të K-pop-it.
Një natë që do të vendosë jo vetëm fituesit e çmimeve, por edhe drejtimin e ardhshëm të muzikës botërore.
Burimi: ansa.it. Përgatiti për botim: L.Veizi
