Last Updated on 23/10/2026 by Klara
Një ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Luigj Gurakuqit është çelur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, duke sjellë për publikun dokumente arkivore mbi kontributin e tij në Rilindjen Kombëtare dhe në procesin e shtetndërtimit shqiptar.
Ekspozita është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Institutin e Historisë “Ali Hadri”, me materiale të Arkivit Qendror Shtetëror.
Në çeljen e saj morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, drejtuesja e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli, zëvendësdrejtori i ASHAK-ut, Mehmed Xhemajli, si dhe studiues, historianë dhe të interesuar për trashëgiminë arkivore.
Gjatë aktivitetit, drejtuesit e institucioneve organizatore vlerësuan rëndësinë e dokumenteve historike në ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe në përcjelljen e historisë te brezat e rinj.
Drejtuesja e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli, theksoi se ekspozita ofron mundësinë për të njohur më nga afër veprimtarinë e Gurakuqit në fushën e arsimit, gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për studimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare shqiptare.

Ndërsa Auron Rrokaj u shpreh se synimi i ekspozitës është që vepra e patriotit të madh shqiptar të bëhet më e njohur për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht për të rinjtë dhe studentët. Sipas tij, dokumentet arkivore duhet të jenë sa më të aksesueshme për publikun, në mënyrë që historia të njihet përmes fakteve dhe burimeve autentike.
Në ekspozitë janë prezantuar dokumente të ndryshme, përfshirë një fragment biografik mbi Luigj Gurakuqin, fjalimin e tij përshëndetës në Normalen e Elbasanit, informacione mbi Kongresin e Manastirit, si dhe korrespondencë që lidhet me historinë dhe kulturën shkollore të trevave të Kosovës.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të konferencës shkencore “Luigj Gurakuqi në Rilindjen Kombëtare dhe në periudhën e shtetndërtimit”, e cila mbahet më 23 tetor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.
Ekspozita është pjesë e bashkëpunimit mes institucioneve arkivore dhe shkencore të Shqipërisë dhe Kosovës, me synimin për të nxitur kërkimin shkencor në fushën e albanologjisë, përmes shfrytëzimit të fondeve arkivore dhe realizimit të botimeve të përbashkëta./k.m


