Last Updated on 09/11/2025 by Kesjana
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, nën organizimin e Klik Ekspo Group. Bashkia Himarë është pjesë e këtij panairi të rëndësishëm, që synon promovimin e potencialeve turistike, kulturore dhe investuese të Shqipërisë.
Gjatë vizitës së tij, Tavo vlerësoi Panairin Ndërkombëtar si një mundësi unike për promovimin e Himarës në mesin e mbi 250 sipërmarrjeve dhe kompanive vendase e të huaja pjesëmarrëse. Ai theksoi se qëllimi kryesor i bashkisë është ta kthejë Himarën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
“Synimi ynë është që Bashkia Himarë të jetë 365 ditë turistike. Panairi është një hapësirë e shkëlqyer për të prezantuar potencialet tona turistike dhe historike, për të rritur bashkëpunimet dhe për të tërhequr investime të reja,” – u shpreh Tavo.
Kreu i bashkisë bëri të ditur se gjatë ditëve të panairit, përfaqësuesit e Himarës kanë pasur mundësinë të prezantojnë projektet e zhvillimit, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore që e bëjnë këtë zonë një destinacion të veçantë në Rivierën Shqiptare.
“U takova me vizitorë, partnerë dhe përfaqësues institucionesh, me të cilët shkëmbyem ide që do të na ndihmojnë të forcojmë bashkëpunimin dhe të rrisim vizibilitetin e komunitetit tonë,” – tha më tej Tavo në një prononcim për mediet.
Ai shtoi se pjesëmarrja e Bashkisë Himarë në këtë event ndërkombëtar do të hapë mundësi të reja për zhvillim, investime dhe promovim të mëtejshëm të zonës, duke forcuar rolin e saj si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Shqipërisë./kb
