Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot emërimin e zotit Ermal Dredha në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Bernë, si dhe Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Principatën e Lihtenshteinit, në cilësinë e jo rezidentit.
Me këtë detyrë të re, zoti Dredha i rikthehet sërish shërbimit diplomatik. Kujtojmë se gjatë periudhës 2016–2023, ai ka shërbyer si Ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u vlerësua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Pas përfundimit të mandatit diplomatik, Ermal Dredha mori drejtimin e Bashkisë së Vlorës në vitin 2023, detyrë nga e cila u largua në shtator 2025, pas dorëheqjes së tij.
Emërimi i tij i ri shënon një rikthim në fushën e diplomacisë, ku ai pritet të përfaqësojë interesat e Shqipërisë në Zvicër dhe Lihtenshtein me përkushtim dhe profesionalizëm.
