Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë, ku u diskutua projektbuxheti i vitit 2026, deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi, pyeti ministrin e Ekonomisë, Petrit Malaj, nëse pensionistët do të përfitojnë bonusin e zakonshëm të fundvitit.
Ministri Malaj u shpreh se një masë e tillë nuk është parashikuar në projektbuxhetin e ardhshëm, por shtoi se vendimi do të varet nga ecuria e ekonomisë gjatë vitit.
“Në varësi të rritjes ekonomike do të vendosim nëse do të japim bonusin e fundvitit në 2026. Aktualisht nuk është përfshirë në projektbuxhet, por mund të realizohet me akt normativ, nëse ekonomia e lejon,” deklaroi ministri Malaj.
Sipas tij, përfitimi i një bonusi mund të zëvendësohet nga rritja e parashikuar e pensioneve në mënyrë mujore gjatë vitit të ardhshëm./MXH
