Last Updated on 11/11/2025 by EL
Në Belgjikë është themeluar një forcë e re politike e ekstremit të djathtë me një emër që menjëherë tërheq vëmendjen, “Trump”, shkurtim i “Tous Réunis pour l’Union des Mouvements Populistes” (Të Bashkuar për Unionin e Lëvizjeve Populiste).
Partia është prezantuar zyrtarisht të premten e kaluar dhe shihet si vazhdimësi e lëvizjes “Chez Nous” dhe e ish-partisë Front National belge, raporton La Repubblica.
Krijuesi dhe presidenti i saj është Salvatore Nicotra, ish-kryetar i Front National belg, ndërsa në komitetin ekzekutiv bën pjesë Emanuele Licari, ish-kandidat i partisë flamande të ekstremit të djathtë Vlaams Belang në Bruksel, i cili më pas u përjashtua për shkak të deklaratave që glorifikonin hapur fashizmin.
Partia “Trump” përfaqëson vazhdimin politik të “Chez Nous”, një lëvizje që u shfaq në zgjedhjet federale të qershorit 2024, por që nuk arriti të kalonte pragun elektoral. Me shpërbërjen e saj, përkrahësit e mbetur të ekstremit të djathtë frankofon kërkuan të rifillonin me një strukturë të re, më të qartë ideologjikisht dhe me një imazh të fortë populist.
Emri “Trump” nuk është aspak rastësor.
“Donald Trump është simboli i populizmit. Ai tregon menjëherë në çfarë besojmë”, deklaroi Nicotra për median belge Bruzz, e cituar nga agjencia Belga.
Sipas tij, partia e re pozicionohet si një forcë populiste e djathtë me një dimension social, duke u përpjekur të kombinojë elemente nga parti të ndryshme politike belge. “Rreth 40% e programit tonë përkon me atë të PTB (partisë së majtë radikale), 40% me Vlaams Belang, dhe 20% është unik për ne,” shpjegon ai. “Ndryshimi ynë më i madh me Vlaams Belang? Ne jemi unitary, ata janë separatistë.”
Partia “Trump” ka ambicie të qarta, të marrë pjesë në zgjedhjet federale dhe ato evropiane të vitit 2029, me synimin për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme në zonat frankofone të vendit. Nicotra ka përmendur gjithashtu Brukselin si një objektiv të mundshëm, me synim përfaqësimin si në parlamentin rajonal të kryeqytetit ashtu edhe në disa bashki.
“Sigurisht, qyteti i Brukselit dhe Saint-Gilles, ku unë vetë jam këshilltar bashkiak prej vitesh, janë opsione reale”, theksoi ai.
Lindja e “Trump” në Belgjikë vjen në një periudhë kur populizmi dhe forcat e djathta po fitojnë terren në shumë vende evropiane.
Mbetet për t’u parë nëse kjo parti do të arrijë të përfitojë nga valët e pakënaqësisë sociale dhe të kopjojë modelin simbolik të Donald Trump, apo nëse do të mbetet një përpjekje e izoluar në skenën e fragmentuar politike belge./e.t
