Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj. Skema e re e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për prodhimin bujqësor dhe blegtoral pritet të hyjë në fuqi nga janari
“Pra, po ta marrim thjesht, nëse një fermer shkon një faturë 1 milionë lekë të reja, do t’i kthehen 100.000 lekë në llogarinë e tij. Kjo është përfitimi i drejtpërdrejtë i çdo fermeri shqiptar dhe është një mundësi shumë e mirë që fermerët shqiptarë të përfitojnë direkte nga skema e qeverisë shqiptare. Kjo skemë do të ndiqet nga Ministria e Financës, por edhe nga sistemi i taksave që periodikisht të gjithë fermerët do të çojnë faturat e tyre pranë institucioneve përkatëse”, tha ministri i Bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë Andis Salla, tha në Kuvend, se përmes kësaj skeme, përveç se mbështeten fermerët me para synohet të formalizohet sektori.
“Për herë të parë dhe një skemë e tillë do t’i ndihmojë drejtpërdrejtë për t’i mundësuar ata që të fitojnë dhe të përfitojnë sa më shumë nga fermeri i vogël që krijojë një formalizim i tyre”, tha ministri.
Rikthimi i TVSH-së në bujqësi, që është hequr prej 6 vitesh, edhe pse mund të ndikojë në përmirësimin e sektorit, përsëri nuk garanton të zgjidhë hallin e fermerëve, që është mbulimi i kostove të prodhimit në raport me çmimin që u ofrojnë grumbulluesit për produktet që bujqit prodhojnë. As kjo skemë nuk e barazon produktin vendas me atë të importit.
Kur 1 kilogramë produkt bujqësor apo blegtoral blihet jashtë vendit, TVSH-ja si në blerje dhe në shitje është me 20%, duke bërë që të jetë më i lirë produkti i importit. Ndërsa fermerët shqiptarë për produktin që shesin marrin mbrapsht 10%, dhe për të mbuluar kostot, janë të detyruar të shesin produktin më shtrenjtë, por ky fakt i ka bërë grumbulluesit të pa-interesuar për prodhimin vendas.
Në total buxheti për zhvillimin rural në vitin 2026 do të jetë 77 milionë euro, nga të cilat vetëm 52 milionë euro do të përdoren për skemat kombëtare për bujqësinë apo blegtorinë. m.p.
