Ushtria e Shteteve të Bashkuara po përmirëson një bazë detare të Luftës së Ftohtë të braktisur prej kohësh në Karaibe, sipas një hetimi vizual të Reuters, duke sugjeruar përgatitje për operacione të qëndrueshme që mund të mbështesin veprime të mundshme brenda Venezuelës.
Ryan C. Berg, drejtor i Programit për Amerikën, CSIS, shprehet: “Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një përforcim të madh ushtarak në Karaibet jugore. Rreth 10 për qind e aseteve të Marinës Amerikane ndodhen aktualisht në zonën e komandës SOUTHCOM. Kjo është diçka që rajoni nuk është mësuar ta shohë. Normalisht, SHBA ka një prani shumë më të reduktuar ushtarake në këtë pjesë të botës”.
Foto të realizuara nga agjencia e lajmeve Reuters më 17 shtator, treguan një rinisje të aktivitetit të ndërtimit në ish-bazën detare Roosevelt Roads në Porto Riko, e mbyllur nga Marina Amerikane më shumë se 20 vjet më parë, teksa ekipe ishin të angazhuara në pastrimin dhe shtrimin e rrugëve ndihmëse që çojnë drejt pistës, shkruan A2.
Deri kur Marina u tërhoq nga objekti në vitin 2004, Roosevelt Roads ishte një nga stacionet më të mëdha detare amerikane në botë. Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Reuters, Bazaka një pozicion strategjik dhe ofron hapësirë të madhe për grumbullimin e pajisjeve. Përveç përmirësimeve të kapaciteteve të uljes dhe ngritjes në Roosevelt Roads, SHBA-ja po ndërton objekte të reja edhe në aeroporte civile në Porto Riko dhe në ishullin Shën Kroj në Virgin Island të Amerikës.
Të dy territoret amerikane ndodhen rreth 800 km larg Venezuelës. Ryan C. Berg tha: “Mendoj se kjo po ndodh tani për një numër arsyesh. Së pari, administrata Trump është shumë e prirur të tregojë se po zbaton një paradigmë të re kur bëhet fjalë për trajtimin e luftës kundër narkotikëve. Roja Bregdetare e SHBA-së nuk është më operatori kryesor në këto misione, por Marina e SHBA-së dhe Forcat Ajrore të SHBA-së janë përfshirë për të mbështetur dhe në shumë mënyra për të marrë përsipër këto misione. Dhe mendoj se paradigma e re është aty sepse administrata është e interesuar të tregojë se veprimtaritë e karteleve në Amerikën Latine si organizata terroriste të huaja kanë pasoja, në këtë rast, pasoja vdekjeprurëse. Kjo nuk është vetëm retorikë, por është tregues i një modeli të ri operativ që sheh Marinën e SHBA-së dhe Forcat Ajrore të SHBA-së në krye dhe jo më Rojën Bregdetare të SHBA-së. Së dyti, mendoj se administrata e kupton që vetë Maduro dhe regjimi i tij janë të implikuar në këto lloj aktivitetesh”.
Reuters foli me tre zyrtarë ushtarakë amerikanë dhe tre ekspertë detarë, të cilët thanë se ndërtimet e reja në Porto Riko dhe Ishujt e Virgjër tregonin për përgatitje që mund t’i mundësojnë ushtrisë amerikane të kryejë operacione brenda Venezuelës. Përforcimi ushtarak në rajon është më i madhi që nuk lidhet me ndihmën për fatkeqësi që nga viti 1994, kur SHBA dërgoi dy aeroplanmbajtëse dhe më shumë se 20 000 trupa në Haiti për të marrë pjesë në “Operacionin Mbështet Demokracinë”. Që nga fillimi i shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer të paktën 14 sulme ndaj mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Karaibe dhe në Paqësor, duke vrarë mbi 60 persona. Këto sulme ndaj mjeteve të dyshuara të drogës kanë shtuar tensionet me Venezuelën dhe Kolumbinë dhe kanë tërhequr vëmendjen ndaj një pjese të botës që vitet e fundit ka marrë burime të kufizuara nga ushtria amerikane. /kb
