E ke ndjerë ndonjëherë atë ndjesi të lehtë dridhjeje në bark kur takon dikë që të pëlqen ose kur ndodh diçka emocionuese? Shkenca ka një shpjegim shumë interesant për këtë fenomen të njohur si “flutura në stomak”.
Sipas neurologëve, kjo ndjesi vjen nga sistemi nervor simpatik, pjesë e mekanizmit të reagimit “lufto ose ik” që trashëgojmë nga paraardhësit tanë. Kur truri percepton një emocion të fortë – qoftë dashuri, ankth apo frikë – ai dërgon sinjale në trup për t’u përgatitur për veprim. Gjaku zhvendoset nga organet e brendshme drejt muskujve, duke shkaktuar një ndjesi “vakumi” në zonën e stomakut.
Ky reagim evolutiv ishte dikur një mënyrë për të mbijetuar në situata të rrezikshme, por sot shfaqet si përgjigje ndaj emocioneve të forta, si p.sh. një takim i parë, një prezantim para publikut apo një moment ankthi. Studiuesit e quajnë këtë “komunikim dypalësh” midis trurit dhe sistemit tretës, që është aq i ndërlidhur sa shpesh quhet edhe “truri i dytë”./ K.M
