Takimet e delegacionit shqiptar të biznesit të Dhomës Shqipëri–Japoni me përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë japoneze kanë rezultuar jashtëzakonisht të frytshme, duke hapur rrugë të reja bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
Shqipëria, megjithëse një vend i vogël, është pritur me respekt dhe vlerësim në çdo nivel politik dhe ekonomik në Japoni. Partnerët japonezë e shohin vendin tonë si një hapësirë të hapur për investime, bashkëpunime dhe projekte zhvillimore afatgjata.
Takimi në Ministrinë e Jashtme të Japonisë
Delegacioni shqiptar u prit nga z. Zei Ichiro Taguchi, Ambasador i Ngarkuar për West Balkan Cooperation Initiative (WBCI).
Z. Taguchi, një njohës dhe mbështetës i fortë i mekanizmave japonezë të investimeve dhe zhvillimit, konfirmoi angazhimin për të forcuar më tej mbështetjen për Shqipërinë, veçanërisht në fushën e nxitjes së biznesit dhe projekteve të reja ekonomike.
Takimi me përfaqësues të Keidanren – Japan Business Federation
Gjatë takimit me z. Ichiro Hara, Drejtor në Keidanren (Japan Business Federation), u theksua interesi gjithnjë në rritje i kompanive japoneze për Shqipërinë.
Z. Hara nënvizoi:
“Edhe pse e vogël, Shqipëria mbetet e rëndësishme për bizneset japoneze. Sa më shumë kërkesa dhe iniciativa të vijnë nga pala shqiptare, aq më shumë do të përgjigjemi me interes dhe vlerësim.”
Ai shtoi gjithashtu se avancimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian e shtyn Japoninë të kërkojë edhe më shumë mundësi për të investuar dhe bashkëpunuar me vendin tonë.
Në të gjitha takimet, është ndjerë qartë vullneti për një partneritet të ri ekonomik, më të fortë dhe më të qëndrueshëmmidis Shqipërisë dhe Japonisë./kb

