Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Europa po përballet me një ngërç ekonomik. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMI) dhe Buletinit Ekonomik të Bankës Qendrore Europiane (BQE) tregon se ekonomitë e kontinentit lëvizin në një “zonë gri” me rritje të dobët dhe një diferencë të thelluar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas FMI-së, dobësia e rritjes evropiane nuk është e pashmangshme, por kërkon veprime të vendosura politike për të mbyllur boshllëqet strukturore dhe për të shfrytëzuar potencialin e plotë të zonave prodhuese.
Të dhënat tregojnë se të ardhurat pro kapite në Europë janë rreth 30% më të ulëta se në SHBA, ku tre të katërtat e diferencës lidhen me një produktivitet më të ulët. Ky problem është i përqendruar kryesisht në qendrat industriale dhe urbane, ku gjenerohet mbi 60% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së.
BQE konfirmon diagnozën. Në buletinin e saj të nëntorit, institucionii i Frankfurtit raportoi një rritje prej 0,2% në tremujorin e tretë, pak më e lartë se +0,1% e tremujorit të dytë, por ende larg një ritmi të qëndrueshëm.
Ndërsa kërkesa e brendshme kontribuon pozitivisht, e mbështetur nga turizmi dhe shërbimet digjitale, sektori i prodhimit mbetet i dobët dhe investimet nuk po nxisin rritjen. Eksporti evropian gjithashtu humbet vrull, duke përfshirë edhe tregjet në zhvillim.
Kontrasti me SHBA-të është i dukshëm. Atje, produktiviteti rritet, qendrat teknologjike të mëdha nxisin krijimin e vlerës, dhe politika industriale publike bashkëpunon me atë private. Në Europë, sistemi mbetet i fragmentuar: 27 regjime të ndryshme fiskale, kosto të larta tregtare për prodhimet dhe një treg kapitali i papërgatitur për të financuar bizneset inovative.
FMI thekson se mungesa e një kuadri ligjor të përbashkët pengon zhvillimin e kapitalit të rrezikut, shkakton alokim joefikas të resurseve dhe frena rritjen e kompanive me potencial të lartë.
Raporti i FMI-së propozon hapa të qartë: heqja e barrierave të brendshme në tregti dhe mobilitetin e punës deri në nivelin e SHBA-së mund të rrisë produktivitetin evropian deri në 20%.
Edhe një ulje prej gjysmës së këtyre pengesave do të sillte një fitim prej 8,7%, duke zvogëluar pjesërisht diferencën e të ardhurave pro kapite me SHBA-të. Por për këtë janë të nevojshme reforma të koordinuara: harmonizim fiskal, rregulla të përbashkëta për kapitalin e rrezikut dhe thjeshtim burokratik.
BQE, nga ana e saj, po lundron në një situatë delikate. Konsili Drejtues nuk ka parashikuar ndryshime në normat e interesit, por mbetet gati të veprojë për të siguruar stabilitetin e inflacionit afatmesëm. Analistët e bankës theksojnë se rimëkëmbja do të jetë graduale dhe e pauniforme: Gjermania ende e ngurtë, Franca në zgjerim modest, Spanja më dinamike, dhe Italia në ekuilibër.
FMI dhe BQE bien dakord se Europa ka potencial të madh, por koha për të vepruar është e kufizuar. Pa reforma të thella dhe një projekt industrial të përbashkët, kontinenti rrezikon të mbetet periferik në skenën globale, me kapital dhe talente që shkojnë diku tjetër. Politikat e rekomanduara përfshijnë investime në infrastrukturë, edukim, banesa të përballueshme dhe shërbime publike që mbështesin transformimin ekonomik.
Konkluzioni i përbashkët i institucioneve është i qartë: Europa duhet të besojë sërish te rritja, më parë se ta planifikojë atë, në të kundërt riskon të humbasë konkurrencën globale./MXH
