Presidenti i Ukranës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar sot se po fillon ristrukturimi i kompanive shtetërore të energjisë, përfshirë kompaninë e energjisë bërthamore Energoatom, e cila ka qenë në qendër të një skandali të madh korrupsioni ditët e fundit .
Ne po fillojmë ristrukturimin e kompanive kryesore shtetërore të energjisë”, u shpreh Zelensky në një deklaratë në mediat sociale.
Në deklaratë thuhej po ashtu se një bord i ri mbikëqyrës do të ngrihej brenda një jave në Energoatom, kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore në qendër të skandalit.
Të hënën, Byroja Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) tha se kishte zbuluar një sistem kriminal pas përvetësimit të 100 milionë dollarëve të destinuar për sektorin, duke çuar në dorëheqjen e ministrave të drejtësisë dhe energjisë.
Përveç Energoatom, kompani të tjera shtetërore të energjisë janë gjithashtu të përfshira në projekte, të tilla si kompania e energjisë hidroelektrike e vendit dhe kompanitë kombëtare të nxjerrjes dhe transmetimit të gazit.
Zelensky tha se do të kryhej një audit i plotë i aktiviteteve financiare të këtyre kompanive, si dhe një rinovim i lidershipit të tyre dhe përfaqësuesve shtetërorë në bordet e drejtorëve.
“Çdo mashtrim i zbuluar në këto kompani duhet t’i nënshtrohet një reagimi të shpejtë dhe të duhur”, vazhdoi ai.
Rasti i fundit i korrupsionit i zbuluar nga NABU ka tronditur presidencën, pasi truri i dyshuar i skemës, Timur Mindich, konsiderohej mik i ngushtë i Presidentit Zelensky.
Përveç çështjeve ligjore, sektori i energjisë i Ukrainës është goditur ditët e fundit nga fushata e raketave dhe dronëve të Rusisë, e cila e ka zhytur pjesën më të madhe të Ukrainës në errësirë. Bombardimi i fundit masiv në kryeqytet të premten vrau shtatë persona dhe një person i plagosur ndërroi jetë në spital sot.
