Last Updated on 18/11/2025 by Kesjana
Vepra të panjohura më parë të Johann Sebastian Bach janë prezantuar dhe luajtur në Gjermani për herë të parë në 320 vjet.
Ministri i Kulturës, Wolfram Weimer, e quajti zbulimin e dy pjesëve “një moment i mrekullueshëm për botën e muzikës.”
Partiturat i ranë në sy Peter Wollny, një kërkuesi të kompozitorit të famshëm gjerman, në vitin 1992 kur ai po rendiste dorëshkrimet e Bach në Bibliotekën Mbretërore të Belgjikës në Bruksel.
Veprat e shkruara për organo, Chaconne në D minor BWV 1178 dhe Chaconne në G minor BWV 1179, ishin pa datë dhe firmë. Wollny iu deshën 30 vjet për të konfirmuar identitetin e tyre.
Ato u luajtën në kishën e Saint Thomas në Leipzig ku është varrosur Bach dhe ku ai punoi si drejtues kori për 27 vjet.
Të dyja u performuan nga organisti holandez Ton Koopman, i cili tha se ishte shumë krenar. Ai shtoi se veprat ishin “të një cilësie të lartë” dhe do të ishin “një aset i rëndësishëm për organistët, pasi janë të përshtatshme për organot më të vogla.”
Partiturat mendohen se janë kompozuar në fillim të karrierës së Bach, kur ai nisi të punonte si mësues organoje në Arnstadt, Thuringia.
Wollny, i cili tani drejton Arkivën e Bach në Leipzig, tha se kanë tipare unike të kompozitorit.
“Stilistikisht, veprat përmbajnë veçori që gjenden në punët e Bach nga kjo periudhë, por jo të ndonjë kompozitori tjetër.” Ato besohet se janë hedhur në letër në vitin 1705 nga një nxënës i tij, Salomon Günther John.
Kur prezantoi partiturat, Wollny tha se ishte “99.99% i sigurt se Bach i ka shkruar të dyja pjesët”, të cilat tanimë i janë shtuar katalogut zyrtar të veprave të tij./kb
