Një monedhë e madhe ari e vitit 1609, e prerë për Mbretin Filip III të Spanjës, pritet të thyejë rekorde dhe të bëhet monedha më e vlefshme në Evropë gjatë një ankandi që do të zhvillohet të hënën, më 24 nëntor, në Zvicër. Sipas shtëpisë së ankandeve Numismatica Genevensis SA në Gjenevë, kjo pjesë unike prej 339 gramësh ka një çmim fillestar prej 2 milionë frangash zvicerane (rreth 2.48 milionë dollarë).
Drejtori i ankandit, Frank Baldacci, deklaroi për Reuters se është “shumë e mundshme që kjo monedhë të vendosë një rekord të ri”. Monedha, e njohur si Centen ose 100 escudos, u prodhua në qytetin e Segovias në Spanjën qendrore, nga ari i sjellë prej pushtuesve spanjollë nga Amerika.
E krijuar si simbol i pasurisë dhe fuqisë mbretërore, vlera e saj në atë kohë përfaqësonte disa vite rrogë. Philippe Baron, themelues i shtëpisë së ankandit, e cilësoi atë si monedhën më të madhe në historinë moderne evropiane.
Pasi u zhduk për disa shekuj, monedha u shfaq sërish në SHBA rreth vitit 1950, ku u ble nga një koleksionist nga New Yorku. Dhjetë vjet më vonë u shit te një blerës spanjoll, për t’u rishfaqur sërish në ankand dhe për të kaluar te një tjetër koleksionist, identiteti i të cilit mbetet i panjohur./mxh
