Avokati i firmës ligjore KMA, Pawel Knut, i cili përfaqëson ankesuesit, komentoi vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian lidhur me njohjen e martesave të huaja në Poloni. Ai theksoi se vendimi nuk sjell barazinë martesore në Poloni, por kërkon njohjen e martesave të kryera jashtë vendit, në mënyrë që bashkëshortët të mund të gëzojnë të drejtat dhe detyrimet që u takojnë sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Knut e përshkroi këtë si hapin e parë drejt një kapitulli të ri në luftën për të drejta të barabarta.
Ai shtoi se ankesuesit njihen prej gati 20 vitesh. Ata u takuan në Poloni dhe më pas u zhvendosën në Gjermani për arsye profesionale, ku forcuan jetën e tyre familjare dhe u martuan. Ata janë të martuar për afro 10 vjet dhe, për arsye profesionale, vendosën të kthehen në Poloni, ku dëshironin të vazhdonin jetën e tyre familjare në të njëjtin mënyrë si në Gjermani. Por që në fillim u ndeshën me pengesa: autoritetet dhe gjykatat polake refuzuan të njohin martesën e tyre të kryer në Gjermani, duke mohuar mundësinë e transkriptimit të certifikatës së martesës.
Knut bëri të ditur se çështja tani kthehet në Poloni dhe po pritet vendimi përfundimtar. Megjithatë, sipas tij, bashkëshortët janë të bindur se janë shumë afër marrjes së dokumentit të shumëpritur – certifikatës së martesës së njohur nga Polonia, me simbolin e shqiponjës polake./mxh
