Lideri i të djathtës radikale, Zhordan Bardella, mund të zgjidhet president i Francës në zgjedhjet e 2027-ës.
Rezultatet e një sondazhi të agjencisë franceze Odoxa tregojnë se 30-vjeçari është më i preferuar se çdo rival tjetër i mundshëm dhe do të triumfonte përballë tyre edhe nëse përballej në balotazh.
Në anketimin ku u mor opinioni i 1 mijë njerëzve gjatë këtij muaji, Bardella rezulton fitues si ndaj ish-kryeministrave Eduard Philipe apo Gabriel Attal, ashtu edhe ndaj radikalit të majtë Zhon Luk Melonshon apo Rafael Gluksmanit të qendrës së majtë.
Sondazhi tregon se Bardella ka trashëguar mbështetjen e vendosur të përkrahësve të Marine Le Penit, njërës prej themelueseve të këtij grupimi politik, e cila shihej edhe si fituese e presidencialeve pasi ka humbur 4 përballjet e fundit.
57-vjeçares iu ndalua nga Gjykata në mars të këtij viti të marrë poste publike, pasi u shpall fajtore për keqmenaxhimin e fondeve të Parlamentit Europian.
E teksa pozitat e radikalëve të djathtë nëpër Europë po fuqizohen, në Gjermani, ku Alternativa për Gjermaninë është po ashtu në krye në sondazhe, ka një çarje të madhe mes rrymave pro-ruse dhe atyre që kërkojnë orientimin e qartë të partisë drejt Uashingtonit.
