Gjykata e Kasacionit në Francë, instanca më e lartë gjyqësore e vendit, la në fuqi dënimin ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës, duke i shtuar një tjetër telash juridik pas periudhës së tij të fundit në burg.
Sarkozy, 70 vjeç, kishte apeluar kundër vendimit të vitit 2024 për financim të paligjshëm të fushatës gjatë përpjekjes së tij të pasuksesshme për t’u rizgjedhur në vitin 2012. Ai ishte dënuar me një vit burgim, gjysma e të cilit u pezullua dhe mund të kryhet përmes masave alternative, si mbajtja e një byzylyku elektronik.
Ish-presidenti u fut në burg më 21 tetor pasi u shpall fajtor në një çështje tjetër që lidhej me përpjekjet e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të siguruar fonde libiane për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007. Ai u lirua këtë muaj në pritje të apelimit.
Vendimi i së mërkurës (26 nëntor) lidhet me fushatën e vitit 2012. Sarkozy ka mohuar akuzat se partia e tij, Les Republicains, atëherë e njohur si UMP, shpenzoi gati dyfishin e kufirit ligjor prej 22.5 milionë eurosh për mitingje luksoze dhe më pas punësoi një firmë miqësore të marrëdhënieve me publikun, Bygmalion, për të fshehur kostot.
Ai ka deklaruar se nuk ishte i përfshirë në logjistikën e fushatës dhe as në mënyrën se si u menaxhuan fondet gjatë garës zgjedhore.
Një gjykatë më e ulët e kishte shpallur fajtor në vitin 2021, duke argumentuar se Sarkozy ishte vënë në dijeni të tejkalimit të shpenzimeve, nuk ndërhyri dhe se nuk ishte e nevojshme që ai të miratonte çdo shpenzim individual për të mbajtur përgjegjësi ligjore./mxh
