Një grua me origjinë koreano-jugore dhe shtetësi të Zelandës së Re u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy fëmijëve të saj të mitur, trupat e të cilëve u zbuluan në valixhe brenda një magazine të braktisur më shumë se tre vite më parë, raportuan mediat në Zelandën e Re.
Hakyung Lee u shpall fajtore në shtator pasi pranoi se kishte vrarë fëmijët, të moshës tetë dhe gjashtë vjeç, në vitin 2018, një vit pasi i ati i fëmijëve kishte ndërruar jetë nga kanceri.
Lee u deklarua e pafajshme për shkak të gjendjes mendore dhe u përfaqësua vetë në gjyq, me mbështetjen e dy avokatëve.
Gjykatësi Geoffrey Venning refuzoi kërkesat për një dënim më të lehtë, por miratoi trajtim të detyrueshëm në një institucion psikiatrik të sigurisë së lartë, me kusht që Lee të kthehet në burg sapo të konsiderohet mendërisht e aftë.
“Ju i vratë fëmijët në mënyrë të qëllimshme dhe të planifikuar, dhe më pas ndërmorët një sërë hapash për të fshehur krimin,” tha Venning.
Lee duhet të vuajë një periudhë minimale prej 17 vitesh pa të drejtë lirimi me kusht.
Gjatë gjyqit, u dëgjua se Lee u kishte dhënë fëmijëve një dozë të tepërt ilaçesh të përshkruara, përpara se t’i mbështillte trupat e tyre me qese plastike dhe t’i vendoste në valixhe.
Mbetjet e fëmijëve u zbuluan në vitin 2022 nga një familje që po kontrollonte përmbajtjen e një magazie të blerë në një ankand online./mxh
