Për nder të 60-vjetorit të filmit ikonik “Goldfinger” të James Bond, Rolls-Royce ka krijuar një model të veçantë të quajtur Phantom Goldfinger, i mbushur me pajisje të personalizuara që do ta bënin xheloz edhe Q, shkencëtarin që personalizonte makinat e spiunit më të famshëm në botë.
Ky automobil është një nderim për Rolls-Royce Phantom III Sedanca de Ville të vitit 1937, i cili luajti një rol të rëndësishëm në filmin e vitit 1964 me aktorin Sean Connery dhe mbetet ende “një burim frymëzimi” për markën luksoze britanike.
Makina e re, e cila tashmë ka një pronar të pasionuar pas James Bond, u përfundua pas një pune trevjeçare nga ekipi i Rolls-Royce. Një seri detajesh me ar janë të integruara në dizajn, duke përfshirë një shkop golfi të vendosur në bagazh që simbolizon skenën ikonike të takimit të Bond-it me antagonistit Auric Goldfinger në fushën e golfit.
Tavolinat e piknikut përmbajnë një hartë fiktive të Fort Knox të punuar me flori 22 karat, ndërsa një hartë e Luginës së Furkës në Zvicër – një tjetër vend i rëndësishëm i filmit – është gdhendur në çelik dhe ar brenda makinës. Këto elemente krijojnë një lojë elegante referencash për fansat e filmit. m.p.
