Last Updated on 27/11/2025 by EL
Deputetja socialiste e Fierit, Zegjine Çaushi, është vënë sërish në qendër të sulmeve të pavërteta që synojnë të cenojnë figurën e saj publike.
E diplomuar në drejtësi dhe studente ekselente, Çaushi ka reaguar menjëherë ndaj pretendimeve të fundit, duke publikuar dokumentet zyrtare që vërtetojnë se në kompaninë “Illyrian Guard” ka shërbyer si juriste, dhe jo si “rojtare”, siç është pretenduar.
Gjithashtu, deputetja thekson se çdo e ardhur e saj është e deklaruar zyrtarisht dhe e mbështetur me dokumentacion të plotë, duke hedhur poshtë çdo aludim për mungesë transparence.

Ajo shton se edhe data e largimit nga kompania “Illyrian Guard” është keqinterpretuar në media, ndërsa dokumentet zyrtare provojnë qartë se marrëdhënia e punës është ndërprerë më 25 mars 2025, dhe jo në periudhat e raportuara publikisht.

Në reagimin e saj, Çaushi i drejtohet qytetarëve të Fierit, atyre që e votuan dhe i dhanë besim në zgjedhjet e 11 majit duke nënvizuar se ndjen detyrim moral të sqarojë çdo keqinformim.
Ajo rendit qartë pozicionet e saj të punës ndër vite, nga specialiste e emergjencave civile, kryeinspektore e IVMT, deri te juriste në dy shoqëri private duke theksuar se çdo detyrim profesional e ka kryer me korrektësi dhe integritet.
Reagimi:
Të dashur qytetarë të Qarkut Fier,
Për ju ndiej detyrim të reagoj.
Me gjithë respektin e madh që kam për mediat dhe gazetarët, ju lutem të ushtroni profesionin tuaj brenda kufijve të informacionit të saktë dhe verifikimit paraprak. Qytetarët tanë meritojnë të informohen drejt, jo të dezinformohen.
Sqarim publik:
Së pari, kushdo është i lirë të bëjë lajm, por jo duke shtrembëruar faktet.
Pozicionet e mia të punës, ndër vite, kanë qenë:
1. Specialiste e Emergjencave Civile
2. Kryeinspektore e IVMT
3. Juriste pranë shoqërisë “BA2” shpk (ndryshe nga çfarë paraqitet në media)
4. Juriste pranë shoqërisë “Illyrian Guard” ( Nga data 16 Maj 2024 deri në datën 25 Mars 2025, ndryshe nga çfarë paraqitet ne media)Sa i përket të ardhurave të mia, ato janë të gjitha të deklaruara zyrtarisht (me transaksionet bankare), të shoqëruara me dokumentacionin përkatës pranë institucioneve përkatëse.
Ndërsa përsa i përket largimit tim nga puna në “Illyrian Guard”, sqaroj se shkëputja ka ndodhur në datën 25 mars 2025, ndryshe nga sa është paraqitur në media.
Qytetarët meritojnë informacion të saktë, dhe unë do të vazhdoj të jem transparente në çdo hap.
Ju falenderoj.
Përtej karrierës profesionale, Zegjine Çaushi ka qenë studente ekselente, një fakt që e ka dokumentuar me certifikatë zyrtare për Fjala.al.

Në përfundim, deputetja thekson se transparenca do të mbetet parimi i saj i panegociueshëm: “Do të vazhdoj të sqaroj çdo pasaktësi që synon të cenojë integritetin tim profesional dhe besimin që më keni dhënë.”/E.T
