Last Updated on 27/11/2025 by EL
Presidenti rus Vladimir Putin ka ashpërsuar deklaratat e tij mbi konfliktin në Ukrainë gjatë një fjalimi në Bishkek të Kirgistanit, ku ai i cilësoi autoritetet e Kievit si “të paligjshme” dhe, rrjedhimisht, të paafta për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.
Sipas mediave të huaja, Putin tha se draft-plani i propozuar nga Shtetet e Bashkuara mund të shërbejë si bazë për bisedime të ardhshme, por theksoi se ai “ka ende nevojë për punë” përpara se të merret në konsideratë në mënyrë serioze. Ai e lidhur çdo përparim drejt paqes me lëvizjet në front, duke deklaruar se luftimet do të ndalen vetëm nëse forcat ukrainase tërhiqen nga zonat që Moska i konsideron thelbësore. Në të kundërt, sipas tij, Rusia “do t’i arrijë objektivat e saj me forcë”.
Putin përsëriti kërkesën që komuniteti ndërkombëtar të njohë fitimet territoriale të Rusisë në Ukrainë, një vijë e kuqe për Moskën, por e papranueshme për Kievin.
Në deklaratat e tij, ai u shpreh edhe i habitur nga paketat e reja të sanksioneve amerikane ndaj kompanive ruse të naftës, duke i cilësuar ato si veprime që “shkatërrojnë” marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në. Në drejtim të Evropës, Putin paralajmëroi se çdo vendim për të konfiskuar asetet ruse do të përbënte “vjedhje pronësie” dhe do të dëmtonte ndjeshëm sistemin financiar global. Rusia, tha ai, është e gatshme të përgjigjet nëse një hap i tillë ndërmerret.
Megjithatë, ai mohoi kategorikisht se Rusia planifikon të sulmojë Evropën, duke i quajtur pohimet në këtë drejtim “qesharake”.
Deklaratat e presidentit rus vijnë në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje paqeje mbeten të bllokuara nga kërkesat e kundërta të palëve dhe mungesa e një terreni të përbashkët për negociata./e.t
