Last Updated on 27/11/2025 by EL
Në një kohë që Partia Demokratike e Sali Berishës nuk ka takat të organizojë një protestë me 5, 6 apo 10 mijë vetë në shesh kur numri 2 i qeverisë shqiptare është pezulluar nga detyra, ngjarja që ndodhi sot në sallën e një hoteli, me mbledhjen e disa demokratëve si Ervin Salianji apo Ilir Alimehmeti, është afërmendsh e logjikshme.
Në fashikujt e çështjes “Balluku” dolën lakrat sheshit. Së pari, një deputet i PD rezulton se ka marrë tendera. Së dyti, një drejtues i lartë i PD rezulton se është financuar nga vartësi i Ballukut për të sulmuar Erion Veliajn.
Me pak fjalë, PD aktuale nuk përfaqëson opozitën. PD aktuale është një antenë e qeverisë shqiptare, e cila ka marrë peng opozitarizmin në vendin tonë. Berisha nuk po tenton rrotacionin politik. Përkundrazi, ai është pjesë e lojës.
Në këto kushte, duhet që një bashkim i madh të ngrejë një opozitë të vërtetë, me njerëz që kanë si objektiv rrëzimin e qeverisë dhe jo shtimin e bizneseve private të PD.
Dyshja Salianji-Alimehmeti kanë mundësinë të tregojnë një model ndryshe. Ata duhet të distancohen nga Berisha dhe të tërheqin figura të tjera nga e djathta shqiptare. Do të ishte e logjikshme që të afroheshin Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj. Në fund të fundit, Salianji, Alimehmeti, Aulon Kalaja, Tedi Kopliku e shumë demokratë të tjerë që u mblodhën sot, nuk u kanë asnjë borxh shqiptarëve. Ata nuk janë pjesë e sistemit. Ata janë të rinj, 40 deri në 55 vjeç, në kulmin e karrierës së tyre politike.
Urojmë që kjo lëvizje e re të mos ngjajë me Foltoren e Berishës, e cila në fillim u përqafua, por më pas u kuptua se ishte teatër. Nëse Salianji-Alimehmeti nuk e çojnë deri në fund këtë revoltë kundër berishizmit, nuk ka më sens që në Shqipëri të flitet për zgjedhje të parakohshme apo për qeveri teknike.
Pse? Sepse 90% e parlamentit të sotëm nuk ka dy palë, por një. Është “perandori” Rama, krejt i qetë dhe i gjithëpushtetshëm, bashkë me vartësin e tij Sali, i cili pret direktivat socialiste për përgjumjen e partisë.
Një opozitë që bën protesta me 200 vetë nuk meriton të ekzistojë. Ka ardhur koha e të rinjve, e atyre që mund të sjellin frymë dhe energji popullore. Berisha jetoftë 100 apo 150 vite, por jo në politikë. Duam ta shohim përkrah nipërve dhe mbesave, duke pleqëruar në qetësi, larg podiumeve, banaqeve televizive apo foltoreve qesharake. m.p.
