Last Updated on 25/10/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas dhunës së regjistruar gjatë protestave në Tiranë, duke akuzuar mbështetësit e tyre për nxitje të dhunës dhe sulme ndaj institucioneve publike.
Përmes një reagimi, Vengu u shpreh se pas dhunës në rrugët e kryeqytetit nuk qëndrojnë qytetarë të mbështetur te kauzat publike, por persona që, sipas tij, synojnë marrjen e pushtetit përmes akteve të dhunshme.
Deputeti socialist kritikoi gjithashtu reagimet në rrjetet sociale, duke akuzuar një pjesë të elitës dixhitale për standarde të dyfishta në qëndrimin ndaj mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe institucioneve historike.
Vengu përmendi Teatrin e Kukullave, Hotel Dajtin, Kuvendin dhe godinat historike të ministrive, duke theksuar se mbrojtja e trashëgimisë nuk mund të jetë selektive, në varësi të faktit nëse dëmtimet shkaktohen nga shteti apo nga protestuesit.
Reagimi i Pirro Vengut:
Sot u pa qartë se pas dhunës në rrugët e kryeqytetit nuk qëndrojnë qytetarë me kauzë, por njerëz të furnizuar në selitë e partive dhe gjetkë, që besojnë se pushteti merret duke djegur shtetin.
Ndërkohë, nën shkëlqimin e rremë të rrjeteve sociale, elita dixhitale pa mandat përpiqet të kriminalizojë reagimin publik kundër dhunës. Hipokrizi ulëritëse!
Ata që mbronin Teatrin me shtuf në emër të trashëgimisë, sot nxisin dhe u bëjnë «like» sulmeve ndaj Teatrit të Kukullave, Hotel Dajtit, Kuvendit dhe godinave historike të ministrive. Pikëllohen për kalldrëmet kur i heq shteti. Kur i shkul turma për të goditur policët, heshtin.
Trashëgimia ka vlerë vetëm kur shërben për të akuzuar qeverinë? Apo kur e dhunon turma, pushon së qeni trashëgimi?
Edhe shteti është trashëgimi! Kush e ka pasur për kauzë mbrojtjen e trashëgimisë, le ta thotë qartë: ndal dhunimit të institucioneve, monumenteve dhe godinave historike!
Nuk do të presim fundin e heshtjes suaj për të mbrojtur rendin publik./ad
