Last Updated on 28/11/2025 by EL
Një anketë e realizuar nga Unioni i Këshillave Studentorë u ndal gjerësisht në një çështje të rëndësishme për shoqërinë, siç është ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të kryer ekot e gjirit.
Anketës iu bashkuan studentë të Fakultetit të Mjekësisë dhe Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Tiranë.
Pyetësori u shpërnda në të gjitha grupmoshat, duke synuar edhe informimin e familjarëve të grave dhe vajzave për rëndësinë e vizitave mjekësore. Pjesa më e madhe e të anketuarëve i përkishin grupmoshës 16-25 vjeç.
Sipas të dhënave nga anketimi, 65% e të rinjve kontrollohen rregullisht, ndërsa 13. 5% kryejnë vizita shëndetësore vetëm kur ndjejnë shqetësime. Anketa u plotësua nga 311 persona, ku mbi 60% e tyre kishin njohuri mbi rreziqet e kancerit të gjirit. Një përqindje e të anketuarëve u shprehën se janë njoftuar për fushatat ndërgjegjësuese të “Tetorit Rozë” përmes informacionit nga mjekët e familjeve.
Pyetësori u plotësua edhe nga 5.8% e djemve dhe burrave, të cilët kuptojnë rolin në mbështetjen emocionale, nëse një anëtar i familjes preket nga sëmundja.
Të dhënat e përpunuara nga anketa e realizuar nga Unioni i Këshillave Studentorë nxjerr në pah se pavarësisht fushatave të ndërgjegjësimit, nevoja për edukim shëndetësor dhe mbështetje psikologjike është e madhe./e.t
