Udhëtimi artistik i Roerd Toçes është i ndërthurur mes skenës së teatrit dhe kamerave. Aq sa është e zakonshme që teksa shkon në një set xhirimi interviste, fotografik apo filmik, veshjet i merr me vete, e do kërkojë një hapësirë për të veshur veshjen e përshtatshme për secilin rast. Kështu ndodhi edhe në ditën e setit të fotove. Roerdi menjëherë pas provave dhe punës në teatër erdhi në setin e fotografisë për revistën “Bordo” me veshjen e tij në dorë. Praktik, me thjeshtësinë që e karakterizon, dashurinë për profesionin, ai spikat gjithnjë e më shumë në peizazhin artistik shqiptar. Në këtë intervistë ekskluzive për “Bordo”, ai rrëfen për rolet sfiduese, bashkëpunimin me partneren e tij, regjisoren Joana Omeraj, dhe jetën si prind i ri. Roerdi flet pa filtra për sfidat e profesionit, vështirësitë, pasionin për artin dhe emocionet e pathyeshme që i ka sjellë ardhja në jetë e vajzës së tij, Anastasia. Në këtë bisedë të sinqertë, aktori nuk heziton të ndajë gjithçka me publikun.
“Vlog 13” është ende në kinema. Si erdhi ky projekt?
“Vlog 13” është një eksperiment i çuditshëm, që në një tavolinë me regjisorin dhe me Joana Omerajn filluam ta mendonim, filluam ta eksperimentonim në mendjen tonë, edhe pas një fare kohe i çmendur David Kodheli tha, “unë jam gati kur je ti”.
Roli yt në “Vlog 13”?
Roli është Roerdi, edhe në rol jam Roerdi domethënë, është një personash goxha ndryshe nga Roerdi i vërtetë dhe nga Roerdi aktori. Është një influencer i cili kërkon me doemos të marrë më të bukurën e çdo gjëje, në çdo vend të mundshëm dhe është i sëmurë nga kjo bukuri.
Ndërkohë luan bashkë me bashkëshorten tënde. Si është të jesh në të njëjtin produksion dhe skenë me të?
Në fillim sfidë. E dyta ankth, Joana është dhe regjisore, dhe e frikshme për mua si Roerd që të jem domethënë, të pres dhe direktivat e saj, por dhe të jem partneri saj, pa e gjykuar në sensin personal. Besoj se çdo çift do ta ketë problem, po që, çuditërisht me Joanën unë ndihem shumë mirë, ishte eksperiencë shumë funny, edhe shumë më e lezetshme që në të dy të luanim dhe të kishim një kujtim kaq të bukur, që ta mbajmë edhe për më vonë.
Në cilat shfaqje do të shohim këtë sezon në teatrin e Metropolit?
Po akoma nuk është vendosur tamam, besoj se shfaqjet janë një cikël që duhet të ulesh, të flasësh, pastaj të vendosësh te kush rol ti je adapt, edhe të flasësh me regjisorin, të pëlqejë skenari, të pëlqejë teksti, normalisht në shumicën e rasteve dhe teksti të pëlqen, se shfaqjet janë madhështore, po që Metropoli ka surpriza shumë bukura dhe gjithmonë do të surprizojë me shfaqjet që të jep.
Cili ka qenë për ty roli më i vështirë, emocionalisht?
Secili rol ka emocionin e vetë, si në komedi, si në dramë, si në tragjedi. Unë gjithmonë veçoj rolin e parë dhe rolin e fundit që kam për momentin. Sepse roli i radhës është ai që një aktor gjithmonë aspiron. Gjithsesi do të thosha “Ditari i Anna Frank”, unë kam patur rolin e Piterit. Ka qenë goxha sfidë e madhe për mua, që dhe më vonë janë marrë ato pëlqimet e njerëzve kundrejt meje dhe mua më ka sfiduar, më ka pushtuar dhe e kam vuajtur goxha si rol.
Ke refuzuar ndonjë rol?
Në kujtesën time, të refuzuar kështu siç thuhet që “jo nuk e bëj këtë”, janë gjithmonë mungesë, si pasojë domethënë, skenari dobët. Po, kam refuzuar disa role, po që janë në shumicën e rasteve janë skenari i dobët se sa ana monetare.
Një shfaqje ose rol që e ke ëndërruar?
Rolet që ëndërroj janë gjithmonë të Shakespeare, janë te personazhet më pikante, Iago tek Otello, është një nga rolet e mia të preferuar, edhe Rikardi III është ëndrra, por gjithsesi prapë do të thosha Iago.
“Mbjellja e pemëve”, “Within Love”, “Snop”, “Në kuadër të dashurisë”, në cilat ke patur rolin më të dashur?
Për momentin është vlogu, “Vlog 13”. Po që gjithmonë do të veçoja filmin “Mbjellja e pemëve” sepse është një lloj kthimi në histori, po gjithsesi metaforikisht është një parantezë disi e çuditshme, mund ta them këtë gjë, po që disi është, ndoshta për njerëzit që e kanë parë, disi paralelizëm me jetën time.
Vështirësia më e madhe që ke hasur ndër to?
Vështirësia më e madhe është “Vlog 13” në anën fizike, në anën emocionale, besoj se ka qenë Eriku. Nuk e di është një film me metrazh të shkurtër dhe “Mbjellja e pemëve”.
