Një politikan namibian, i njohur më parë si Adolf Hitler Uunona, ka ndryshuar emrin e tij, duke fshirë “Hitler” nga dokumentet zyrtare, raportoi një media lokale.
“Emri im nuk është Adolf Hitler, unë jam Adolf Uunona. Kam parë në të kaluarën njerëz që më thërrasin Adolf Hitler dhe përpiqen të më përngjasojnë me dikë që as nuk e njoh”, i tha ai gazetës ”The Namibian”.
Uunona, një politikan lokal në Ompundja në rajonin Oshana, në veri të vendit, në të kaluarën ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për shkak të emrit të tij.
Ai i tha ”The Namibian” se ishte distancuar shumë nga ideologjia naziste dhe se babai i tij e zgjodhi emrin pa e kuptuar rëndësinë e tij historike.
Nambia ka qenë koloni gjermane për disa dekada rreth fillimit të shekullit XX, përpara se Adolf Hitleri të ngjitej në pushtet në Berlin.
Uunona kandidoi për rizgjedhje të mërkurën në Oshana.
”The Namibian” raportoi se kishte mbajtur vendin e tij në këshill që nga viti 2004, duke fituar zgjedhjet e mëparshme me një shumicë të konsiderueshme.
Uunona, një anëtar i partisë në pushtet SWAPO, është i njohur për punën e tij në çështjet lokale në rajon, aksesin e tij dhe iniciativat në infrastrukturë.
Votuesit në rajon thanë se emri i tij nuk ishte i rëndësishëm dhe se ai u gjykua për performancën e tij.
