Last Updated on 29/11/2025 by Kesjana
Ndërsa Gaza zhytet nën reshjet e dendura, plani i Donald Trump po futet në ngërç. Hamasi dorëzoi trupin e pilotit Dror Or dhe në Rripin e Gazës tashmë kanë mbetur vetëm dy pengje izraelite, gjenerali Ran Gueili dhe qytetari tajlandez, Sontisek Rintalk. Megjithatë bisedimet për nisjen e të ashtuquajturës “Faza Dy” janë bllokuar, me rrezikun real që të mos nisin kurrë.
Zyrtarë të Katarit, Turqisë, Egjiptit dhe përfaqësues të Hamasit janë takuar disa herë në Kajro javët e fundit, raunde prej të cilave si ndërmjetësit, ashtu edhe palestinezët, kanë dalë duarbosh dhe me pritshmëri të ulëta, madje edhe për negociatat që konsideroheshin një provë për më vonë, ato për fatin e luftëtarëve të bllokuar në tunelet e Rafahut.
Izraeli propozoi një kalim të sigurt drejt një vendi të tretë, por asnjë shtet nuk pranoi t’i pranonte. Alternativa ishte dorëzimi, dënimi me burg në Negev dhe më pas kthimi në Gaza vetëm pas zotimit për të hequr dorë nga lufta e armatosur. Militantët refuzuan dhe rezultati është se të gjithë ata që dalin nga tunelet qëllohen nga snajperët e IDF-së, të paktën dhjetë prej tyre janë vrarë deri tani.
Çështja e militantëve të bllokuar në Rafah
Shtetet e Bashkuara shpresonin që negociimi për militantët e Rafahut të shërbente si test për fazën e dytë, e cila përfshin çarmatosjen e Hamasit, tërheqje të mëtejshme të Izraelit nga Rripi, mbërritjen e një force ndërkombëtare stabilizimi dhe kalimin e pushtetit fillimisht te një komitet teknik, e më pas te Autoriteti Palestinez. Por procesi nuk dha rezultat.
Një burim palestinez në Kajro, i përfshirë nga afër në bisedime, shpjegon se as Hamasi dhe as Izraeli nuk duan realisht të largohen nga faza e parë.
“Kjo u leverdis të dyve. Hamasit sepse nuk detyrohet të çarmatoset dhe fiton kohë për të forcuar kontrollin në Gaza dhe për të përmirësuar pozicionin e tij negociues. Netanyahu-t sepse dëshiron të shkojë në zgjedhje me trupa ende në Gaza. Kjo i jep mundësinë të eliminojë liderë të tjerë të Hamasit dhe të ushtrojë presion ndaj palestinezëve që të pranojnë emigrimin, meqë rindërtimi nuk do të nisë derisa të ketë përfunduar faza e dytë”, tha ai.
Egjipti, i cili kishte planifikuar të mbante një konferencë për rindërtimin në mes të nëntorit, e ka shtyrë në një datë të pacaktuar.
Dy skenarë për çarmatosjen e Hamasit, por pa marrëveshje
Në lidhje me çarmatosjen e Hamasit, Izraeli dhe vendet arabe mbeten shumë larg njëri-tjetrit. SHBA-të duan që operacioni të drejtohet nga forca e stabilizimit, por kanë vështirësi të mbledhin një kontingjent ndërkombëtar nga vende myslimane dhe arabe. Edhe Azerbajxhani dhe Indonezia, të cilat kishin ofruar trupa, janë tërhequr pjesërisht, duke ulur numrin e ushtarëve që janë të gatshëm të dërgojnë.
“Asnjë vend nuk pranon të bëhet pjesë e një misioni luftarak kundër Hamasit”, thotë një burim egjiptian i informuar mbi diskutimet.
Propozimi i diskutuar në Kajro parashikon që Hamasi të dorëzojë armët te Autoriteti Palestinez ose te një shtet arab, me shumë gjasë Egjipti, nën mbikëqyrjen e Ligës Arabe. Hamasi ende nuk ka dhënë përgjigje, por edhe vetë palestinezët janë të përçarë. Lëvizja islamiste mund të jetë e gatshme të dorëzojë armët e rënda me rreze të gjatë që kërcënojnë Izraelin, por jo armët e lehta. Ndërkohë, Autoriteti Palestinez nuk e pranon këtë skenar, pasi një Hamas i armatosur me pistoleta e kallashnikovë do të krijonte probleme serioze për qeverisjen e Gazës. Pa një mekanizëm të qartë çarmatimi, Izraeli mund të vendosë të rifillojë operacionet ushtarake.
Plani B: Gaza e ndarë në dy
Ndërkohë, mes Kiryat Gat dhe Washington-it po merr formë një lloj “plani B”: Ndërtimi i një “Gaze të vogël” në territorin e kontrolluar nga Izraeli, rreth gjysmës së enklavës. Këtë e ka konfirmuar për New York Times rabini dhe sipërmarrësi Aryeh Lightstone, këshilltar i administratës amerikane dhe i afërt me Jared Kushnerin, i cili ishte i pari që hodhi idenë e nisjes së rindërtimit nga “zona e verdhë”. Lightstone drejton qendrën e koordinimit civil-ushtarak në jug të Izraelit dhe është drejtues i fondacionit që promovon Marrëveshjet e Abrahamit.
Plani parashikon ndërtimin e strehëve për mijëra palestinezë. Projekti ka edhe emër, “Komunitete Alternative të Sigurta” dhe po punohet nga një grup funksionarësh amerikanë, ish-punonjës të kompanisë së Elon Musk, Doge, të akomoduar në hotelet Kempinski dhe Hilton në Tel Aviv.
“Çështja praktike është: si t’u ofrojmë njerëzve strehim sa më shpejt?”, tha Lightstone për gazetën amerikane.
Një zyrtar izraelit ka konfirmuar se plani ekziston dhe se në Rafah kanë nisur punimet për pastrimin e rrënojave dhe ndërtimin e kompleksit të parë. Por mbetet edhe një pyetje thelbësore: Kush do të paguajë? Monarkitë e Gjirit, të cilave Trump u ka kërkuar të financojnë rindërtimin, kanë bërë të qartë se nuk do të investojnë asnjë dollar në një Gaza të ndarë në dy, ku palestinezët do të vendosen përballë zgjedhjes: të zhvendosen në zonën nën kontrollin izraelit për një jetë më të mirë, ose të emigrojnë.
Shkrim nga La Repubblica/kb