Nga Leonard Veizi
Ka pasur kohë – të largëta, me baltë deri në gju dhe me një thekë shprese për bukë misri – kur njerëzit thoshin me patos: “Më mirë një mik se sa një çiflig.” Dhe padyshim kishin të drejtë. Se ç’vlerë kishte një çiflig në ato kohë? Një copë tokë që duhet të strapacoheshe e ta punoje e që të jepte vetëm mundësinë të mbillje misër, e të korrje jonxhë… dhe të ngordhje nga lodhja dhe varfëria. Kurse miku të jepte fjalën, burrërinë, një dorë ndihme, e ndonjëherë edhe një thes me misër për dimër. Miqësia kishte peshë, ishte monedhë e fortë, para se të shpikej dollari dhe euro dhe të na fuste në komplekse të padëgjuara.
Por sot?
Sot çifligu është bërë si kartoni i artë VIP që të hap çdo derë. Na falni, jo çifligu si dikur: por çifligu i sotëm, parcela buzë detit, plazhi privat, trualli që nga njëra anë rrethohet me ullinj, nga tjetra me ndërtime pa leje dhe në mes mban një tabelë që shkruan “Tok e xanun” dhe për më tej “Në proces legalizimi”. Ky çiflig është burim i pashtershëm miqësish. Një çiflig sot s’të sjell një mik — të sjell dyzet. Po të jesh i zoti, të sjell dyqind. Ccifligu të njeh me deputetë, biznesmenë, “investitorë strategjikë”, drejtora drejtorish, intelektualë me “master profesional”, edhe… ca kushërinj që nuk i dije që ekzistonin.
Prandaj edhe shprehja e vjetër popullore sot tingëllon pak naive dhe demode, pak i dehur nga romantizmi i një bote që nuk ekziston më. Se ç’vlerë ka një mik në kohën kur çifligu të prodhon miq me shumicë? Sot, nëse ke çiflig, ti s’ke një mik, ti je furnizues i miqve. I jep me shumicë, me pakicë, me pikë, me fatura apo pa fatura. Çifligu është fabrika moderne e miqësisë. Dhe të gjitha këto, natyrisht, me afat skadence: mjafton të mos prekësh një centimetër në pronë të gabuar.
Kështu që po të ringrihej sot ndonjë plak i mençur i dikurshëm, do ta përmirësonte thënien popullore, që t’i përshtatej kohës:
“Më mirë një çiflig… se miku vjen vetë.”
Dhe jo vetëm vjen, por vjen me dosje në dorë, me propozime investimesh, me projekte ndërtimi dhe me mallin e vjetër për të qenë mik me dikë që ka diçka më të vlefshme se miqësia: truallin.
