Kryeministri britanik, Keir Starmer ka mbrojtur me vendosmëri buxhetin e javës së kaluar, pas kritikave mbi prezantimin e situatës financiare nga ministrja e Financave, Rachel Reeves.
Buxheti shmangu rritjen e tatimit mbi të ardhurat, por përfshiu rritje taksash në fusha të tjera, duke mbledhur gjithsej 26 miliardë paundë.
Kryeministri theksoi se këto masa synojnë të mbrojnë shërbimet publike, të luftojnë varfërinë tek fëmijët dhe të krijojnë një rezervë fiskale për stabilitet afatgjatë.
“Jam krenar që financat tona publike dhe shërbimet po ecin në drejtimin e duhur. Ne përballëm realitetin dhe morëm kontrollin e së ardhmes. Britania është përsëri në rrugën e duhur,” theksoi kryeministri.
Ministrja e Financave u kritikua nga partitë opozitare se kishte ekzagjeruar “vrimën e zezë” financiare përpara buxhetit, por zyrtarët e pavarur treguan se financat publike ishin në gjendje më të mirë.
Partitë opozitare dhe partia populiste Reform UK kërkuan hetim mbi veprimet e Reeves, duke akuzuar se mund të ketë bërë keqpërdorur postin e saj.
Starmer e mbrojti ministresën, duke thënë se nuk kishte pasur mashtrim dhe se vendimet ishin bazuar në parashikime të sakta dhe të përgjegjshme.
“Jemi të bindur se mund t’i tejkalojmë parashikimet. I kemi tejkaluar tashmë ato këtë vit. Ne e kemi kontrollin e së ardhmes sonë. Tashmë kemi arritur marrëveshje tregtare që po tërheqin miliarda paund investime. Po heqim barrierat për biznesin në të gjithë ekonominë,” theksoi kryeministri.
Kryeministri premtoi ulje të burokracisë për bizneset, ndihmë për të rinjtë për t’u kthyer në punë dhe përforcim të lidhjeve me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Brexit kishte dëmtuar ekonominë.
Ai paralajmëroi se qytetarët do të fillojnë të ndiejnë përfitimet e qeverisë së tij gjatë vitit të ardhshëm dhe se Britania nuk do të ndiejë më barrën e rënies ekonomike.
Starmer përpiqet të përqendrojë vëmendjen tek reforma sociale dhe stabiliteti ekonomik, duke mbrojtur vendimet e buxhetit dhe qeverisë së tij. Sfida mbetet bindja e publikut dhe mbajtja e ligjvënësve të tij të bashkuar për të përballuar kostot e sistemit të mirëqenies që pritet të tejkalojë 310 miliardë paundë në 2025–2026./mxh
