Në një vizitë të veçantë në Liban, Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për veprim urgjent ndërkombëtar për t’i dhënë fund konflikteve që po detyrojnë mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
Kreu i Selisë së Shenjtë mbajti fjalën në Shenjtëroren e Zojës së Libanit, në Harissa, një vend i shenjtë i njohur për statujën 8.5 metra të Virgjëreshës Mari, që vështron drejt Bejrutit.
Para se të fliste, Papa Leoni dëgjoi rrëfimet e disa banorëve të Libanit, mes tyre të një emigranteje filipineze, Loren Capobres, që I rrëfeu Atit të Shenjtë përvojën gjatë luftës.
“Historitë si ajo e Lorenit na kujtojnë detyrimin tonë për të siguruar që askush të mos detyrohet të largohet nga atdheu për shkak të konflikteve të pakuptimta dhe mizore,” u shpreh Papa Leoni, duke theksuar se dhuna dhe tensionet politike nuk duhet t’i shndërrojnë popujt në të pastrehë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve libanezë që, pavarësisht viteve të krizës ekonomike, paralizës politike dhe përplasjesh të vazhdueshme, të mos e braktisin vendin e tyre.
Pikërisht duke qenë me Marinë pranë Kryqit të Jezusit, lutja jonë, ajo urë e padukshme që bashkon zemrat, na jep forcën për të vazhduar shpresën dhe punën, edhe kur jemi të rrethuar nga zhurma e armëve dhe kur vetë nevojat e jetës së përditshme bëhen sfidë.
Papa, në atë që ai e ka përshkruar si një mision paqeje, u ka kërkuar udhëheqësve të Libanit të vazhdojnë me përpjekjet për paqe pas luftës shkatërruese të vitit të kaluar midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, dhe sulmeve të vazhdueshme izraelite.
Vizita e tij u pa si një shpresë për libanezët.
Ati i Shenjtë vizitoi edhe Turqinë, në kuadër të takimit të tij të parë jashtë vendit që pasu u zgjodh në krye të Vatikanit./mxh
