Demokrati Ilir Alimehmeti deklaroi sot se duke parë situatën brenda Partisë Demokratike, është e domosdoshme që të ketë dialog konstruktiv.
Në një dalje televizive, Alimehmeti u shpreh se PD-ja po zhvillon komunikime të vazhdueshme me demokratët në bazë dhe në terren.
Sipas Alimehmetit, diskutimet e kryera me disa grupime nuk duhen keqkuptuar, por janë thjesht diskutime të munguara e që nuk kanë ndodhur edhe pas mbi 6 muajsh nga zgjedhjet e 11 majit.
“Gjëja më e rëndësishme që unë bëj pjesë në një PD që ka si bazë takimet mes njerëzve, propozimet, kërkesat, analizat. Fjala dhe vota janë elemente themelore. Për mendimin tim, demokracia vjen nga poshtë lart. Automatikisht ka një përgjegjësi që ta çojmë përpara. Për shkak të situatave të kodit zgjedhor, shumë njerëz të zgjedhur nuk kanë pasur mundësi për t’u mandatuar. Fjala e tyre përfaqëson shumë njerëz. Duhet të ishte folur me parë, 6 muaj e gjysëm pas zgjedhjeve dhe nuk ka ndodhur. Kjo është një diçka që e flasim shumë në terren. Komunikojmë me demokrat në bazë. Gjejmë të njëjtën situatë gjithandej, duhet një rrugë si ta gjesh. Janë shumë njerëz të prekur që duan ta çojnë. Ne nuk kemi zyra gjithandej. I jepni rëndësie diçka shumë të parëndësishme. Nuk janë organe zyrtare që të mblidhen në zona formale. Jemi në një kulturë shqiptare ku shumë punë bëhen në kafe. Edhe punë të shtetit. E rëndësishme, duhet të ketë dialog konstruktiv. Duket sikur të flasësh është gabim, të diskutosh është gabim. E kemi sqaruar. E drejtë që njerëzit që janë pjesë e kësaj tavoline të sqarojnë çka ndodhur”,-tha Alimehmeti.
