Pavarësisht se 83% e shqiptarëve janë përdorues të internetit çdo ditë, kur vjen puna për blerje apo kryerje të transaksioneve bankare, parapëlqejnë rrugët tradicionale.
Gjatë vitit 2024, sipas Eurostat, vetëm 16.3% e shqiptarëve (grupmosha 16-74 vjeçarë) kanë porositur mallra ose shërbime në internet, të fundit në Europë. Ndërsa në Holandë, në rajonin qendror të Utrecht, regjistrohet përqindja më e lartë në BE, ku 91.5% e njerëzve porosisnin online produkte apo shërbime gjatë 2024.
Në vitin 2024, pothuajse 9 nga çdo 10 persona të moshës 16–74 vjeç në BE përdorën internetin çdo ditë.
Në vitin 2024, 88.3% e njerëzve të moshës 16–74 vjeç në BE raportuan se përdornin internetin çdo ditë gjatë 3 muajve që paraprinë anketën e ICT*-së.
Ky nivel ishte 2.4 pikë përqindjeje më i lartë se në vitin 2023 dhe 11.4 pikë më i lartë se në vitin 2019. Në vitet e fundit, sektori bankar i BE-së ka parë një rritje të ndjeshme të shërbimeve online. Konsumatorët tani vizitojnë degët lokale më rrallë ose fare, numri i degëve është tkurrur dhe transfertat online apo pagesat elektronike janë bërë normë.
Bankingu në internet ul nevojën për degë fizike dhe kostot e lidhura me to. Për më tepër, ai shpesh ofron lehtësi më të madhe, duke mundësuar që transaksionet bankare dhe aktivitetet e tjera të kryhen në çdo kohë të ditës dhe nga pothuajse çdo vend. Në vitin 2024, 67.2% e popullsisë së BE-së të moshës 16 deri në 74 vjeç përdori internetin për banking gjatë 3 muajve që paraprinë anketën e ICT-së.
Mbi 90.0% e njerëzve në çdo rajon të Danimarkës, Holandës dhe Finlandës përdorën bankingun online. Në Belgjikë, Çeki, Irlandë, Suedi dhe vendet baltike, shumica e rajoneve regjistruan gjithashtu përqindje relativisht të larta (të paktën 80.0%); e njëjta situatë u vërejt edhe në Qipro.
Në vitin 2024, përqindjet më të ulëta të njerëzve që përdornin bankingun online u regjistruan në Bullgari, Rumani dhe Italinë jugore. Në këto zona ndikojnë disa faktorë: prania e lartë e zonave rurale, niveli i kufizuar i aftësive digjitale dhe një strukturë demografike më e moshuar që preferon pagesat me para në dorë. Shqipëria, me vetëm 15.1%, renditet edhe më poshtë se këto rajone./Marrë nga Monitor/kb
