Last Updated on 03/12/2025 by EL
Lëvizja e Ervin Salianjit, me sa duket, e ka shqetësuar vërtet Sali Berishën, i cili ka detyruar degën e Partisë Demokratike në Durrës të shpërndajë një mesazh masiv te të githë anëtarët e kësaj partie, ku i paralajmëron që të mos marrin pjesë në një takim të njoftuar për datën 3 dhjetor.
Në mesazhin e shpërndarë nga kryetarët e degëve thuhet se “persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat”, duke shtuar se kjo lëvizje “nuk ka të bëjë as me Partinë Demokratike dhe as me agjendën e saj”. Mesazhi e cilëson këtë thirrje si “fund e krye dezinformim”.
“I nderuar anëtar i PD, dega Durrës!
Persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat tona. Ky njoftim nuk ka të bëjë as me Partinë Demokratike dhe as me agjendën e saj. Ai njoftim është fund e krye dezinformim.
Partia Demokratike sot ka në fokus të betejës së saj korrupsionin Rama–Balluku në Tunelin e Llogarasë dhe aferat e tjera korruptive të tyre. Ndërkohë jemi duke hyrë në procesin e brendshëm të analizës, gjithnjë vetëm brenda forumeve të Partisë.
Ndaj ne, si anëtarë të PD-së, distancohemi nga këto të ashtuquajtura takime të njoftuara për nesër, datë 3 Dhjetor.
Me respekt,
Kryetarët e degëve Durrës 1 dhe 2,
Ard Muka dhe Osman Stafa” – shkruhet në mesazhin e shpërndarë nga PD Durrës.

