Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Kjo parti është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa lidhur me këtë vendim.
Kjo është hera e tretë që partia më e madhe e serbëve të Kosovës përballet me përpjekje për të mos ia lejuar pjesëmarrjen në zgjedhje qoftë parlamentare apo lokale këtë vit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha në Facebook të mërkurën se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe “janë shkurtpamëse dhe përçarëse”.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë nënvizoi se “politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës”.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi se ndihet “i shqetësuar” për përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore.
“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, tha Hargreaves në Facebook.
Ndërsa, Ambasada e Gjermanisë shprehu “keqardhjen për sjelljen penguese të disa anëtarëve” të KQZ-së.
“Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë”, shkroi ajo në Facebook. m.p.
