Në orën 09:00, në GJKKO nis seanca e radhës paraprake për dosjen “Veliaj” për kalimin ose jo për gjykim, ose për kthim në SPAK për plotësim hetimesh. Seanca e pak ditëve më parë, ku i pranishëm ishte edhe vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, u shty për shkak të kërkesës së tij për t’u njohur me aktet e dosjes.
Ai paraqiti dy kërkesa, heqjen e kafazit metalik gjatë seancave për t’i garantuar një process të drejtë ligjor dhe në respektim të të drejtave të njeriut si dhe t’i vendosej menjëherë në dispozicion një kopje fizike e dosjes hetimore prej 60 mijë faqesh.
Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm si edhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.
