Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 76-vjeçar i cili ka qëlluar me sende të forta bashkëshorten e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës me marrjen e njoftimit për një rast dhune në familje në lagjen numër 17, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 76-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F.D., 70 vjeçe, duke e goditur me shkop druri në kokë.
Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore.
