Last Updated on 10/12/2025 by EL
Raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të lehtë në muajin tetor, por ngelet pranë niveleve më të larta të vitit 2025.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky raport zbriti në 4.33%, nga 4.37% që kishte qenë për muajin shtator. Raporti i kredive me probleme ngelet gjithashtu më i ulët krahasuar tetorin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 4.6%.
Pavarësisht se ky tregues vazhdon të rezistojë në rënie me bazë vjetore, kjo rënie i detyrohet kryesisht ecurisë së muajve të fundit të vitit 2024. Gjatë vitit 2025, raporti i kredive me probleme është shfaqur në stanjacion, madje me tendenca të lehta rritëse, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit.
Vlerësohet se stoku i kredive me probleme të ketë arritur në rreth 39.2 miliardë lekë, nga 37.4 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në harkun e një viti, stoku i kredive me probleme është rritur me 4.8%.
Të dhënat tregojnë se, në vijim të një cikli të rritjes së shpejtë të kredisë për ekonominë, raporti i kredive me probleme ka filluar të japë sinjalet e para të rritjes. Në fund të tetorit, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 906.1 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 11.5%. Në pjesën më të madhe, rritja e portofolit të kredisë po mbështetet në segmentin e individëve, si në kredinë për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatorë.
Në mesin e këtij viti, nisi edhe aplikimi i disa masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë në treguesit e administrimit të riskut të lidhura me huadhënien për blerjen e banesave. Banka qendrore u ndaloi bankave financimin e blerjes së banesave në masën 100% dhe përcaktoi gjithashtu kritere të detyrueshme për raportin e këstit të kredisë ndaj të ardhurave (duke lejuar sidoqoftë një marzh përjashtimi prej 15% nga kufizimet e mësipërme).
Në muajt e parë të aplikimit, masat kufizuese nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e kredisë për shtëpi. Në periudhën korrik-tetor, që përkon me hyrjen në fuqi të masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë, kredia e re për shtëpi ka arritur në 18.5 miliardë lekë, në rritje me gati 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, misioni i FMN shprehet se aktivizimi së fundmi i masave ndaj kredimarrësit për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të bëhet një mjet i përhershëm. Madje, FMN rekomandon vendosjen e një shtese sektoriale të kapitalit për rrezikun sistemik, pesha më të larta rreziku ose masa të tjera që shënjestrojnë kredimarrësit, si mjete shtesë për të adresuar rreziqet në rritje nga huadhënia për pasuri të paluajtshme për qëllime tregtare./e.t
