Në sheshin përballë Kryeministrisë, prej tri ditësh, Adriatik Lapaj qëndron pa lëvizur, natë e ditë, bashkë me dhjetëra qytetarë të partisë së tij, me thirrjen morale për qëndresë qytetare. Por ndërsa ai sfidon të ftohtin dhe plogështinë politike, pyetja e madhe mbetet: pse populli nuk po zgjohet? Pse nuk po mblidhen mijëra, siç ndodh zakonisht sa herë partitë organizojnë një tubim? Përgjigjja nuk është e thjeshtë, por ajo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si shqiptarët janë mësuar ta konceptojnë protestën dhe politikën.
Së pari, duhet pranuar një realitet i hidhur: protesta në Shqipëri është kthyer në një ritual të komanduar, jo një akt lirie. Shqiptari i zakonshëm është mësuar të thirret nga kryetari, të merret me autobus, t’i paguhet ushqimi dhe të festojë si në dasmë. Protesta është përjetuar si një event, jo si një sakrificë publike. Ndryshe ndodh me Lapajn. Ai kërkon që njeriu i zakonshëm të dalë vetë, me vetëdije dhe bindje, çdo ditë dhe çdo natë, pa skenografi dhe pa pagesë. Kjo kërkesë është e re, e pazakontë dhe, për një pjesë të madhe, e papranueshme.
Së dyti, qytetari shqiptar, i zhytur në një logjikë të çuditshme pragmatizmi, mendon politikisht si oligark. Ai peshon: “Ku ta vë bastin? Cila parti ka gjasa të fitojë? Po nuhat rrotacion?” Nëse nuk sheh shenja fitoreje, nuk lëviz. Ky popull, i lodhur nga tranzicioni dhe i zhgënjyer nga dështimet, ndjek të fortin, jo idealin. Ai do të shohë dikë që e ka lojën në dorë, dikë që kontrollon situatën. Nuk e josh adrenalina e betejës së drejtë. Jo, aspak. E josh interesi i ftohtë personal. E për rrjedhojë, një protestë e sinqertë, pa makineri partie, i duket e pakuptimtë.
Së treti, edhe nëse Edi Rama do të jepte dorëheqjen nesër dhe do të shpallte zgjedhje të parakohshme, një pjesë e madhe e shqiptarëve mendojnë se nuk do të ndryshonte asgjë. Opozita është e përçarë në copa që s’bashkohen dot në një kohezion politik. Dhe në qendër të këtij ngërçi qëndron Sali Berisha, i cili nuk lëshon PD-në, partinë e vetme opozitare me peshë kolosale elektorale. Shumë e shohin prej vitesh si një aleat të heshtur të Ramës, një njeri që i lejon kryeministrit të mbretërojë pa frikën e një përballjeje të rrezikshme.
Kjo situatë krijon një bllokadë psiko-politike te qytetari: ai e di që pa një Federatë Opozitare të vërtetë, me liderë të rinj dhe me një PD të liruar nga e shkuara, rrotacioni politik është praktikisht i pamundur. Dhe po aq e di që çdo bashkëpunim i partive të reja me një figurë 81-vjeçare, të tejkonsumuar politikisht, do i kthente ato parti në objekt të urrejtjes publike. Mijëra plagë të vjetra, nga 1997 te Gërdeci e te 21 janari, e kanë shndërruar Berishën në një simbol të një epoke që shumica e elektoratit gri nuk e do më. Rrotacion pa vota gri, nuk ka.
Pikërisht për këtë arsye protesta e Lapajt mbetet e varfër në numra: ajo kërkon një kulturë qytetare që nuk është ndërtuar ende. Ajo kërkon njerëz që protestojnë për veten, jo për partinë; për parim, jo për interes; për sakrificë, jo për spektakël. Populli nuk është kundër Lapajt, thjesht nuk është mësuar me këtë lloj politike. Por pikërisht këtu qëndron sfida dhe bukuria e kauzës së tij: nëse ai arrin të ndezë një vetëdije të re, edhe pak nga pak, atëherë protesta e tij mund të jetë fara e parë e një kulture të re qytetare që Shqipëria ka pritur prej dekadash. m.p.
