Gjykata Kushtetuese do të vendosë sot, (12 dhjetor) nëse do të marrë apo jo për shqyrtim kërkesën e bërë nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendosi pezullimin nga detyra për zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Çfarë kërkon qeveria në Kushtetuese?
Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi./K,M
