Policia spanjolle njoftoi të shtunën se ka çmontuar një grup kriminal që përdorte helikopterë për të kontrabanduar hashash nga Maroku drejt Spanjës, një metodë e rrallë në trafikun e drogës.
Sipas autoriteteve, helikopterët, me kapacitet transporti nga 500 deri në 900 kilogramë drogë, fluturonin mbi Mesdhe drejt jugut të Spanjës. Më pas, lënda narkotike shpërndahej me rrugë tokësore në pjesë të tjera të Europës.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi një helikopter në një magazinë të izoluar, si dhe 657 kilogramë hashash, pesë armë zjarri, para në cash dhe disa automjete. Bastisjet u kryen në provincat Malaga, Almeria dhe Murcia.
Në total u arrestuan gjashtë persona. Operacioni u realizua në bashkëpunim me autoritetet e rendit nga Maroku, Belgjika dhe Suedia.
Spanja, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, konsiderohet një pikë kyçe hyrjeje në Europë për hashashin që vjen kryesisht nga Maroku dhe për kokainën e kontrabanduar nga Amerika Latine. Megjithatë, autoritetet theksuan se hashashi zakonisht futet në vend nga deti, duke e bërë këtë rast të trafikut ajror veçanërisht të pazakontë./mxh
