Last Updated on 17/12/2025 by Monika
Avokatja Adriana Kalaja ndau sot qëndrimin e saj lidhur me nismën e protestave të iniciuara nga Partia Demokratike.
Kalaja tha se në këtë moment në cilin ndodhet vendi, PD-ja duhet të përqëndrohet në strategjinë që do të rrëzojë nga detyra kryeminstrin Edi Rama.
“Nuk ka nevojë për foltore të dytë, as të tretë e as të pestë. Ne si opozitarë duhet të mendojmë për strategjinë për të rrëzuar Edi Ramën. U bë një mbledhje ku temë diskutimi ishte vetëm protesta dhe në protestë do të vazhdojë parada e përhershme, do dalin 5-6 veta aty dhe do thonë gjërat e përhershme.
A do mbajnë përgjegjësi njerëzit që kanë ndjekur këtë strategji të gabuar? Unë nuk kam pse rikthehem në detyrë kur nuk ka një qasje tjetër Partia Demokratike. Sot duhej diskutuar se çfarë ndodhi me Avokatin e Popullit, jo sepse unë isha kandidate, por sepse njerëzit kanë nevojë për një reagim korrekt. Duhet të ngremë të gjitha problemet dhe të vëmë pikat mbi i. Ne po përsërisim gabimet.
Kështu që, unë do të vazhdoj luftën përballë padrejtësisë, por edhe PD-ja duhet t’i thërrasë mendjes dhe të pyesë veten nëse ka nevojë për ndryshime në strukturë. Patjetër që ka nevojë”,-deklaroi Kalaja./mxh
