Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i MPB-së të Serbisë lidhur me “kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq”.
Sipas Sveçlës, i arrestuar V.M., ishte integruar në Policinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Sipas tij, ai u arrestua gjatë një operacioni të Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në Leshak.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq dyshohet se u rrëmbye në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor./mxh
