Nga Klevis Bakillari

Shqipëria sot nuk ka krizë drejtësie. Ka krizë paniku.
Sepse për herë të parë drejtësia nuk është në gjumë. Është zgjuar. Dhe ka filluar të trokasë në dyer që për 30 vjet ishin të blinduara.
SPAK-u po bën atë që politika shqiptare nuk pati kurrë guximin ta bënte: po ua prish rehatinë të gjithëve. Dhe kur në Shqipëri prishet rehatia, nuk dëgjon debat por dëgjon ulërimë.
Qeveria betohet se e mbështet drejtësinë.
Opozita betohet se po shuhet nga drejtësia.
Të gjithë janë për drejtësi.
Por vetëm për drejtësinë që godet tjetrin.
Kur Berisha shpallet i pandehur, është “persekutim politik”.
Kur Meta përfundon pas hekurave, është “hakmarrje personale”.
Kur Veliaj shkon në burg, është “sulm ndaj PS-së”.
Dhe tani, kur qershia mbi tortë bëhet kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut, Shqipëria paska rënë në diktaturë.
Ironike, apo jo?
Për 30 vite askush nuk pa prokuror në sy. Sot, prokurori shihet si armik kombëtar.
SPAK-u nuk po shemb demokracinë.
SPAK-u po shemb mitin e paprekshmërisë.
Dhe kjo i tremb më shumë se çdo revolucion.
Ata që e kthyen shtetin në pronë familjare sot flasin për “standard europian”.
Ata që firmosnin ligje si fatura kafeje sot flasin për “shtet ligjor”.
Ata që e përdorën drejtësinë si çekiç kundër kundërshtarit sot qajnë për “të drejtat e njeriut”.
Po, është e vërtetë: SPAK-u godet edhe brenda PS-së.
Dhe pikërisht këtu është dallimi thelbësor.
Sepse një forcë politike që pranon të pastrohet nga brenda, edhe me kosto, është forcë që mendon për shtetin, jo për klanin.
Kjo nuk është luftë PS–PD.
Kjo është luftë shtet kundër pandëshkueshmërisë.
Dhe kush e kupton këtë, e ka kuptuar edhe pse rruga drejt Bashkimit Europian nuk kalon nga flamujt, por nga dosjet.
Në Shqipëri nuk ka krizë opozite. Ka krizë dosjesh.
Nuk ka krizë qeverisjeje. Ka krizë përgjegjësie.
Shqipëria ka krizë Drejtësinë.Sepse po funksionon!
Dhe SPAK-u është pasqyra ku askush nuk do të shohë fytyrën!
Prandaj thirrja është e thjeshtë, pa retorikë patriotike e pa lot krokodili:
Jo drejtësi selektive.
Jo ligj me porosi.
Jo reformë për fasadë.
Jo shtet gjysmak.
Veç SPAK.
Asgjë më pak!
