Donald Trump nuk përjashtoi mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane në Venezuelë për të rrëzuar nga pushteti Nikolas Maduron. I pyetur nga gazetarët në një bashkëbisedim në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan e këshilloi kreun e shtetit të Venezuelës të largohet vetë nga pushteti.
“Mendoj se do të ishte një zgjidhje e zgjuar të hiqte dorë nga pushteti. Nëse ai luan të fortin, kjo do të jetë hera e fundit që do të jetë në gjendje ta bëjë.”
Trump tha po ashtu se SHBA mund ta shesin ose ta mbajnë naftën e sekuestruar nga cisternat venezueliane për të furnizuar rezervat strategjike amerikane. Bjellorusia i ka ofruar presidentit venezuelian strehim në rast largimi nga pushteti. Përgjigjja e Maduros, si gjithmonë, nuk vonoi.
“Do të bënte mirë të merrej me çështjet shoqërore dhe ekonomike në vendin e tij, do të ishte më mirë edhe për botën.“
Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake në rajon, me mbi 24 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, të cilat deri tani kanë shkaktuar të paktën 100 viktima./kb