Last Updated on 26/12/2025 by Monika
Bota magjike e filmit “Wicked” u rikrijua për një ditë të vetme në Nju Jork, në kuadër të publikimit të versionit për t’u parë në shtëpi të “Wicked: For Good”. Fansat më të përzgjedhur dhe influencerë nga e gjithë bota u ftuan në një ekspozitë unike, ku u prezantuan kostume origjinale, rekuizita nga filmi, ambiente multisensoriale dhe instalacione digjitale.
Vizitorët patën mundësinë të përjetojnë dhoma tematike, përfshirë një ambient të mbushur me lule dhe aromë trëndafilash, një simulim tornadoje si dhe dhomën ikonike të flluskës së Glindës. Universal Pictures Home Entertainment krijoi gjithashtu hapësira të posaçme për foto dhe video, për të nxitur ndarjen e përvojës në rrjetet sociale dhe promovimin e filmit.
“Wicked: For Good” sjell rikthimin e Ariana Grande dhe Cynthia Erivo në rolet e Glindës dhe Elphabës, dy shtrigat e Oz-it, duke shënuar përfundimin e adaptimit kinematografik të muzikalit të famshëm të Broadway-t. Të dy filmat janë drejtuar nga regjisori Jon M. Chu dhe bazohen në muzikalin e Stephen Schwartz, i cili vetë është frymëzuar nga romani i vitit 1995 i Gregory Maguire.
Filmi tregon historinë e Elphabës, vajzës me lëkurë të gjelbër dhe të keqkuptuar, e cila më pas shndërrohet në Shtrigën e Keqe të Perëndimit, personazh i njohur nga përralla klasike “Magjistari i Ozit”.
Sipas Universal Pictures dhe Comscore, pjesa e dytë e “Wicked” regjistroi fundjavën e tretë më të mirë të hapjes në kinematë amerikane për një muzikal, pas “The Lion King” të vitit 2019 dhe “Beauty and the Beast” të vitit 2017.
Mes fansave të emocionuar ishte edhe Louie Fevola, i cili u shpreh se historia e filmit e ka prekur që në moshë të vogël, për shkak të mesazhit të tij për ndjenjën e të qenit ndryshe dhe të përjashtuar, duke e bërë “Wicked” një përvojë shumë personale dhe të veçantë për të.
Nga data 31 dhjetor, publiku do të ketë mundësinë ta marrë filmin me qira ose ta blejë në platformat digjitale. Versioni përfshin materiale shtesë ekskluzive, një opsion Sing-Along dhe një dokumentar 50-minutësh mbi realizimin e filmit./mxh
