Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Aktorja Imani Dia Smith, e njohur për rolin e saj si Nala e Re në versionin e Broadway-t të filmit të famshëm të Disney-t “The Lion King”, ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare, pas një sulmi me thikë nga i dashuri i saj.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut Middlesex në New Jersey, ngjarja e rëndë ka ndodhur më 21 dhjetor. Policia e qytetit Edison iu përgjigj një telefonate emergjente në 911 dhe gjeti aktoren të plagosur rëndë në vendngjarje.
Smith u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar Robert Wood Johnson, por për shkak të plagëve të marra nuk arriti t’i mbijetojë ndërhyrjes mjekësore dhe u shpall e vdekur.
I dyshuari për ngjarjen, Jordan D. Jackson-Small, partneri i saj, u arrestua menjëherë pas incidentit. Prokuroria e ka akuzuar atë për vrasje të shkallës së parë si dhe për posedim të armës për qëllime të paligjshme.
Imani Dia Smith la pas djalin e saj trevjeçar, prindërit, dy vëllezër, motra më të vegjël, si dhe një rreth të gjerë familjarësh dhe miqsh që po përballen me humbjen e saj të parakohshme.
Për të mbështetur familjen dhe veçanërisht të ardhmen e fëmijës së saj, halla e aktores, Kira Helper, ka hapur një faqe GoFundMe. Fushata synon mbledhjen e 55 mijë dollarëve, ndërsa deri më tani janë siguruar mbi 47 mijë dollarë brenda pak ditësh./mxh
