Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha rrëfeu sot në një podcast disa ngjarje të pathëna nga jeta e tij politike dhe familjare.
Ndër të tjera, Berisha u ndal edhe te koha kur ushtroi detyrën si President i Republikës.
“Rroga ime si president ishte 16 dollarë, e shqiptarëve 4-6 dollarë. Ndërhynë dhe amerikanët që na ndihmuan në atë kohë, sikundër edhe me Entin e Banesave. Kisha edhe këshilltarë. Nuk kisha njohuri për ekonominë e tregut. Erdhën edhe përfaqësues amerikanë, na bënë kurse 2-3 mujor për tregun, se ne nuk kishim në atë kohë. Në atë situatë ishte vendi. Nisëm me stabilizimin e monedhës dhe me të ardhurat kryesore nga ekonomia private, sikurse edhe taksat më të ulëta. Filozofia ekonomike e Reganit më frymëzonte në atë kohë. E para, ishte antikomunist, e shpalli komunizmin si të keqe të madhe, u impresionova prej tij. Nuk ka më keq se të pengosh tjetrin të besojë Zotin. Edhe babanë e kisha shumë besimtar dhe gjithmonë thoshte se ashtu si e kishte bërë Enver Hoxha, as Zoti nuk na ndihmonte dot”,-rrëfeu kryedemokrati.
Berisha tregoi edhe çaste nga vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë në SHBA.
“Kur shkova për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë kisha emocion sigurisht, ishte takimi i parë, por përsëri Kosova dominoi aty. Ku denoncova faktin se plani serb ishte të dëbonin gjysmën e kosovarëve drejt Rrafshit të Dukagjinit dhe u thashë se kjo nuk mund të ndodhte. Kam ruajtur raporte me ish-presidentin Bush, ka ardhur dy herë dhe kam shkuar për vizitë gjithashtu në Huston, Teksas bashkë me Lilin”,-tha Berisha./mxh
