Rei Manaj dhe Feta Fetai kanë fituar Superkupën e Emirateve të Bashkuara Arabe. Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë festuar në një ndeshje të çmendur në finale, ku skuadra e tyre Al Sharjah arriti të triumfonte 3-2 kundër Al Shabab.
Sulmuesi i kuqezinjve u aktivizua si titullar në këtë sfidë duke qenë protagonist absolut. Manaj fitoi penalltinë që solli golin e barazimit për skuadrën e tij, duke këmbëngulur brenda zonës.
Ai po ashtu dha një pasim fantastik për golin e përmbysjes.
Për Manajn ishte trofeu i parë në karrierë si profesionist, pasi më parë ka triumfuar me të rinjtë e Interit.
Fundjava nuk ka qenë kaq pozitive për dy lojtarët e tjerë kuqezinj, Taulant Seferi dhe Arlind Ajeti. I pari shpërdoroi një 11-metërsh, duke humbur shansin që ta kalonte në avantazh ekipin e Bodrumsporit në Turqi. Ndërkohë, VAR-i ia prishi festën mbrojtësit të Kombëtares, i cili arriti të shënonte, por goli i tij u anulua për një faull në sulm./KM
