Holanda po zvogëlon pjesëmarrjen e saj në misionet kundër drogës të udhëhequra nga SHBA-të në Karaibe. Ky veprim vjen si një reagim ndaj numrit në rritje të të vdekurve nga sulmet ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara se përdoren për kontrabandën e narkotikëve.
Ministri i Mbrojtjes Ruben Brekelmans tha se forcat holandeze do të vazhdonin ndalimin e drogës brenda ujërave territoriale holandeze, por nuk do të përdornin anijen e saj detare për ndalime në det të hapur të lidhura me Operacionin Amerikan “Shtiza Jugore”.
Operacioni, i nisur në shtator, ka shkaktuar më shumë se 100 viktima në mbi 20 sulme ndaj anijeve që SHBA-të thonë se po transportonin drogë.
“Ne kemi punuar së bashku me amerikanët në luftën kundër narkotikëve për shumë vite, por në një mënyrë tjetër. Kur shohim kontrabandë droge, ne përpiqemi të arrestojmë dhe ndjekim penalisht ata që janë përgjegjës. Jo duke qëlluar anijet”, tha Brekelmans.
Një zëdhënës i ministrisë holandeze të Mbrojtjes tha se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara nuk është ndërprerë plotësisht, duke vënë në dukje se Holanda ka punuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë për shumë vite përmes Task Forcës së Përbashkët Ndëragjenciale Jug.
Ajo që ka ndryshuar, tha zëdhënësi, është roli i anijes holandeze të stacionit, e cila aktualisht po vendoset për monitorimin e situatës së sigurisë rajonale në vend që të përdoret për misione droge.
Brekelmans e bëri të qartë se Holanda nuk do të ofrojë ambiente, helikopterë apo mbështetje tjetër nëse do të kërkohet për Shtizën Jugore, operacionin e Uashingtonit për të synuar anijet e dyshuara të drogës në veri të bregdetit të Venezuelës.
Ky veprim vjen mes tensioneve të larta pasi Shtetet e Bashkuara përdorën forcën ushtarake për të ndaluar Presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro dhe përshkallëzuan presionin ndaj Karakasit, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare për shkelje të sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare./K.M
