Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një paraqitje të pazakontë në një nga filmat vizatimorë më të njohur për fëmijë në Rusi, “Prostokvashino”, ku shfaqet si personazh i animuar për të përcjellë mesazhin e Vitit të Ri për qytetarët.
Në episodin special, versioni i animuar i kreut të Kremlinit shfaqet krah personazheve të njohur të serialit, qenit Sharik dhe maces Matroskin, duke përshëndetur rusët në ndërrimin e viteve. Banorët e fshatit imagjinar Prostokvashino mbeten të habitur nga prania e presidentit në botën e animuar.
Vizitorët e rritur që shoqëronin fëmijët në parkun tematik Prostokvashino në Moskë kanë reaguar me kujdes ndaj kësaj nisme. Një prej tyre, Marina, u shpreh se një gjë e tillë është e pranueshme: “Në një film vizatimor mund të ndodhë gjithçka. Pse jo?”
Ndërsa Oksana Frolkova tha se fëmijët e njohin Vladimir Putinin dhe se paraqitja e tij në një film vizatimor mund të jetë interesante dhe e rëndësishme për ta, duke shtuar se kjo mund të tërheqë vëmendjen edhe të publikut jashtë Rusisë.
Paraqitja e Putinit ishte paralajmëruar që vitin e kaluar nga Yuliana Slashcheva, kryetare e bordit të studios shtetërore Soyuzmultfilm. Ajo kishte deklaruar se Rusia eksporton filmat e saj vizatimorë në vendet ish-komuniste dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa synon të zgjerojë praninë edhe në tregun kinez.
Sipas saj, përfshirja e presidentit në “Prostokvashino” përfaqëson një formë të ashtuquajtur “soft power”, që synon promovimin e Rusisë dhe kulturës së saj përmes animacionit./mxh
